Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se po konsideron gjithnjë e më shumë mundësinë e një operacioni të gjerë tokësor kundër Iranit, raporton The Times of Israel, duke cituar burime nga vendet ndërmjetësuese mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Sipas një zyrtari të informuar mbi përpjekjet diplomatike, Uashingtoni beson se Irani mund të detyrohet të tërhiqet përballë një presioni të tillë ushtarak. Megjithatë, në prapaskenë, SHBA-të pranojnë se Teherani nuk ka gjasa të pranojë kushtet e parashtruara në planin amerikan me 15 pika për përfundimin e konfliktit.
Raporti thekson se SHBA-të kanë dislokuar mijëra trupa në rajon, me synimin për të marrë nën kontroll ishullin strategjik Kharg të Iranit, një objektiv kyç për eksportet e naftës.
Megjithatë, një tjetër zyrtar paralajmëron se edhe nëse SHBA-të arrijnë ta pushtojnë ishullin, mbajtja e tij për një periudhë të gjatë do të kërkonte shumë më tepër trupa dhe luftime të zgjatura, përtej afatit prej 4–6 javësh që Uashingtoni ka përmendur publikisht si kohëzgjatje të mundshme të konfliktit.
Ndërkohë, megjithëse kjo fundjavë shënon katër javë nga përshkallëzimi i konfliktit, administrata amerikane vijon të deklarojë se operacionet po ecin përpara planit.
Sipas burimeve ndërmjetësuese, Irani nuk pritet të dorëzohet, pavarësisht nëse ndërmerret një operacion tokësor. Megjithatë, ata vlerësojnë se Teherani mund të jetë më i gatshëm tani të pranojë disa kushte që më parë i kishte refuzuar.
Trump ka njoftuar gjithashtu shtyrjen deri të premten të afatit që i kishte vendosur Iranit për të pranuar marrëveshjen me 15 pika, duke paralajmëruar se në të kundërt do të përballet me një valë bombardimesh ndaj infrastrukturës energjetike.
Në të njëjtën kohë, mijëra marinsa amerikanë të tjerë janë vënë në gatishmëri për çdo skenar të mundshëm, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta.
© Panorama.al












