Gjyqtarët bëjnë edhe gabime, që kushtojnë për një skuadër futbolli, mund të ndëshkohen nga komisionet përkatëse disiplinore, por që të vritet, kjo ndodh në Venezuelë. Dhe nuk kemi të bëjmë me ndonjë rast të konsumuar në kategoritë superiore të futbollit të këtij vendi, por minifutboll. Një ndeshje kampionati e të ashtuquajturit “futboll i vogël” ka derivuar në vrasjen e gjyqtarit Timoleon Castilio.
E gjithë ngjarja ka ndodhur kur gjyqtari Castilio nuk e lejoi zëvendësimin e një lojtari për njërën nga skuadrat, e cila sapo kishte pësuar gol. Kjo e irritoi pa masë një tifoz të skuadrës që po humbiste, i cili më pas iu drejtuar gjyqtarit dhe e qëlloi 3 herë më pistolet, duke e lënë të vdekur në vend. “Ajo që ka ndodhur është e tmerrshme. Gjyqtari u vra në fushën e lojës vetëm se po kryente punën e tij. Kjo s’ka koment,” – ka thënë Jesus Savedra, drejtori i ligës rajonale të minifutbollit në Venezuelë.
© Panorama.al












