Tifozët Kuqezi, bojkot Kombëtares prej Hasit

Nov 9, 2011 | 9:24

Tifozat Kuqezi ne Amsterdam

Grupimi akuzon menaxhimin e keq të ekipit nga ana e presidentit Armand Duka: “Kombëtarja do bëhet për inat të atij që zgjedh trajnerët”
Grupimi “Tifozët kuqezi” kanë njoftuar se do të bojkotojnë dy ndeshjet e Kombëtares në shenjë proteste për mosemërimin e Besnik Hasit në krye të ekipit përfaqësues. Ata kanë deklaruar se presidenti Armand Duka po “tallet” me Kombëtaren. “Përpara një muaji theksuam për opinionin publik një numër faktesh, të cilat u vërtetuan edhe një herë nga përfundimi i përrallës për zgjedhjen e Besnik Hasit si trajner. Hasi si profesionist i vërtetë, si ish-lojtar i Kombëtares, kërkoi kontratë 4-vjeçare dhe staf perëndimor. Pikërisht çfarë kërkohet në mënyre që të përgatisësh një grup lojtarësh për të synuar kualifikimin. Ky kusht tepër profesional i kërkuar nga ana e tij nuk u miratua. Me keqardhje pra, u vërtetua qëndrimi ynë se faji nuk është i trajnerit apo i Kombëtares. Për më tepër, refuzimi që iu bë kërkesave të Hasit, ka ndikuar në opinion dhe forcuar përshtypjen mjerane se gjoja “nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë”. Shqipëria dhe Kombëtarja do të bëhet edhe për inat të atij që zgjedh trajnerët. Për ta forcuar qëndrimin tonë, në mënyrë që të gjithë të vetëdijësohen për faktin se problemi nuk janë trajnerët apo lojtarët, “Tifozët kuqezi” bojkotojnë ndeshjet e Kombëtares deri në një njoftim tjetër”, thuhet në deklaratë. Besnik Hasi ishte deri para një jave kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Kombëtares, por sipas FSHF-së ai nuk pranoi të ulej në stolin e përfaqësueses, pasi nuk prishte dot kontratën me Anderlehtin, ku mban postin e zv/trajnerit. Për momentin skuadra jonë kombëtare është pa trajner dhe do drejtohet për dy ndeshjet miqësore të radhës ndaj Azerbajxhanit dhe Maqedonisë nga ish-ndihmësi i Josip Kuzhesë, njëkohësisht trajner i Kombëtares shqiptare U-17, Xhemal Mustedanagiç.
Leonard Karaj


© Panorama.al

Te lidhura