Tifozët kundër Murinjos: Faji, i yti

Jan 20, 2012 | 14:49

“Është një turp, Murinjo duhet të ikë”, “faji është i trajnerit”, “problemi nuk është Barcelona, është Reali i Madridit, është mungesa e sjelljes dhe mentalitetit”. Këto ishin disa nga frazat më të spikatura që u dëgjuan nga tifozët që kishin mbushur “Bernabeun” për ndeshjen klasike në Kupën e Mbretit. Gazeta “Marka” postoi në internet një video me fjalët e tifozëve, dhe menjëherë komentet vërshuan në faqen e saj në ueb. “Deri më sot na thuhej se Murinjo ishte më i miri, se gishti i tij po na tregonte rrugën, – shkruante një tifoz madrilen, – opinioni im ka qenë gjithnjë që Murinjo nuk është një trajner për Madridin, “Bernabeu” nuk duron dot 11 lojtarë të mbledhur në zonën e tyre dhe nuk mundet që në çdo konferencë shtypi të bësh polemika”. “Ky Murinjo më kujton Krujfin kur ishte trajner, – shkruan një tjetër, – që sa herë që vinte në “Bernabeu” sajonte histori për të krijuar skandal”. “Mendoj se Murinjo duhet të mbetet në detyrë të paktën deri në ndeshjen e dytë, por shpresoj që të mos na shënojnë një goleadë. Ajo që bëri Pepe më duket se ishte për të tërhequr vëmendjen dhe për të mos folur për çështjet e futbollit”. “Nëse nuk e largojnë Murinjon, Madridi do të bëhet një klub agresor”, – ishte një opinion tjetër. “Mou jashtë, ktheni Kapelon”, vazhdon një tjetër. “Nëse do merrnim Guardiolën për trajner dhe Murinjon do ta çonim te Barcelona, kjo e fundit do humbiste, Murinjo tregon frikën që ka nga Pep”, ishte shprehja tjetër.

Edhe Benzema shënjestron trajnerin
Karim Benzema ka një arsyetim për humbjen e radhës që Real Madridi e pësoi nga Barcelona me rezultat 2 me 1. Për Benzemanë formacioni i aplikuar nga Jose Murinjo, 4-3-3, nuk është i duhuri.”Një formacion i tillë po mbyt ndikimin e sulmuesve. Është tërësisht formacion i papërshtatshëm dhe vështirë për t’u vepruar. Pepe luajti mirë në këtë takim, por ne patëm pak raste”, deklaron Benzema. Megjithatë, sulmuesi francez thekson se skuadra e tij, Real Madrid, është në pozitë të njëjtë më atë blagurana dhe se gjasat për përmbysjen e rezultatit janë të mundshme.

Rosell
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka theksuar se klubi i Barcelonës nuk do të apelojë ndëshkimin e Pepes, pas gjestit të ulët ku i shkeli Lionel Mesit gishtat e dorës, në një mënyrë krejt të qëllimshme. “Le të veprojë komisioni disiplinor në detyrat zyrtare, në qoftë se e sheh të arsyeshme. Ne si klub nuk dëshirojmë të apelojmë. Ne dëshirojmë që të ruajmë harmoninë institucionale me Real Madridin”, deklaroi Rosell.

© Panorama.al

Te lidhura