Në prag të derbit të madh të Europës, mes Milanit dhe Barcelonës, e inkuadruar në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, ka folur edhe braziliani I kuqezinjve të Milanos, Tiago Silva. Mbrojtësi i Milanit ka dhënë një intervistë për “Globoesporte.com”, ku ka nënvizuar se ylli i Barcelonës, Lionel Mesi, mund të ndalet vetëm me ndihmën e Zotit. “Mesi është një lojtar shumë teknik dhe jashtëzakonisht i shpejtë. Kur e ke përballë duhet të fillosh t’i lutesh Zotit për ta ndaluar. Gjithsesi, ne jemi një skuadër si Milani, ndaj e dimë se mund dhe duhet t’i mposhtim katalanasit në “San Siro”. Jemi përgatitur që kjo të ndodhë në mërkurën në mbrëmje. Kuptohet, jemi dy shkolla të ndryshme futbolli, kemi filozofi të ndryshme të luajturi, por shpresojmë të fitojmë kundër ekipit më të mirë në botë. Kjo e bën edhe më të madhe e shumë të dëshiruar suksesin në këtë ballafaqim. Tri pikët ndaj Barcelonës do të na japin mundësinë të përfundojmë në vend të parë në grup dhe të kemi një short më të lehtë për më pas”.
© Panorama.al












