Kryeministri Edi Rama në takimin e Grupit Parlamentar të PS-së, ka zbuluar një bisedë të fundit me një nga shokët e grupit parlamentar, ku është përballur me “akuzën” se ai është fajtor për Reformën në Drejtësi dhe efektet anësore.
“Para ca ditësh me një nga shokët e grupit këtu, më tha se unë duhet të ndjehem përgjegjës për reformën në drejtësi. Copë. Sigurisht jo vetëm unë, se ka edhe të tjerë që kanë bërë reformën. Por, ma tha copë, se unë jam fajtori për reformën në drejtësi që ka prodhuar edhe efektet anësore. Jam i bindur se jo vetëm ata, por do të ketë plotë këtu që do të mendojnë si ata”, tha ai, ndërsa shtoi se ta quash dështim nga pozitat e grupit projektues dhe miratues të saj, do të thotë të mos llogaritësh përtej kostove aktuale dhe të mos vlerësosh më shumë se sa komoditetin tënd.
Më tej ai u shpeh se “100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do zgjidhja reformën në drejtësi, me të mirat dhe të këqijat e saj, krahasimisht me alternativën, atë batakun e llahtarshëm, pa asnjë dritë të ardhmeje, pas asnjë shans për të marrë respektin e askujt dhe pa asnjë mundësi për t’u ndjerë i respektuar në rast se larg qoftë, rruga të çonte nga ajo derë.”
Kreu i qeverisë u shpreh ndër të tjera se kushdo nga radhë e PS-së sot mendon se reforma në drejtësi ka dështuar, pasi dje ka menduar se ajo do të zbatohej pa gjak, pa lot, pa djersë, në radhë të parë brenda familjes tonë politike, duhet ta gjej te vetja fajin që ka qenë dritëshkurtër.
Rama: Nuk rri dot pa e përmendur, në një bisedë para ca ditësh me një nga shokët e grupit këtu, më tha se unë duhet të ndjehem përgjegjës për reformën në drejtësi. Copë. Sigurisht jo vetëm unë, se ka edhe të tjerë që kanë bërë reformën. Por ma tha copë, sepse unë jam fajtori për reformën në drejtësi që ka prodhuar edhe efektet anësore.
Jam i bindur se jo vetëm ata, por do të ketë plotë këtu që do të mendojnë si ata, apo edhe disa ish-mbështetës të flaktë të Reformës në Drejtësi në mexhlisin mediatik, i përmbledhin të gjitha këto në një fjalë që unë as e kam thënë, “dështim”.
Unë e mirëkuptoj zhgënjimin jo dhe aq të shokëve që e kanë votuar reformën apo kanë punuar për të, sepse ta quash dështim reformën në drejtësi nga pozitat e mbështetësit të dikurshëm të saj, je në të drejtën dhe mbase në detyrën tendë për të vënë alarmin. Por ta quash dështim nga pozitat e grupit projektues dhe miratues të saj, do të thotë të mos shohësh më larg ditës së sotme, të mos llogarish përtej kostove aktuale dhe të mos vlerësosh më shumë se sa komoditetin tënd.
Ndërkohë që unë kam qenë dhe mbetem kokëfortë në mbrojnë e bindjeve të ma, jam gjithnjë e më pak rezistent ndaj mundësisë që ta kem gabim. Jam gjithmonë i interesuar të kuptoj kur kam gabuar, ku, që do me thënë që nuk e kam problem të pranoj gabime. Kjo është provë e sigurte që nuk jam më i ri, por sinqerisht që jo vetëm që nuk gjej asnjë arsye strategjike për ta pranuar opinionin se reforma në drejtësi ka dështuar.
Dhe për aspak kokëfortësi, 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do zgjidhja reformën në drejtësi, me të mirat dhe të këqijat e saj, krahasimisht me alternativën, atë batakun e llahtarshëm, pa asnjë dritë të ardhmeje, pas asnjë shans për të marrë respektin e askujt dhe pa asnjë mundësi për t’u ndjerë i respektuar në rast se larg qoftë, rruga të çonte nga ajo derë.
Nuk i hedh poshtë shqetësimet që ndanë me mua shokët në fjalë, apo gjithçka që ju ndani mes jush për problematikën mbrehtë të këtyre efekteve anësore në jetësimin e pavarësisë së drejtësisë. Ashtu si kundër e respektoj shumë opinionin e atyre që janë thellësisht të zhgënjyer dhe e thonë publikisht nëpër media…
Kush në radhët tona sot mendon se reforma në drejtësi ka dështuar pasi dje ka menduar se ajo do të zbatohej pa gjak, pa lot, pa djersë, në radhë të parë brenda familjes tonë politike, duhet ta gjej te vetja fajin që ka qenë dritëshkurtër.
© Panorama.al











