“The Sun”: 78 vrasës shqiptarë fshihen në Britaninë e Madhe

May 20, 2011 | 10:30

LONDER – Rreth 80 shtetas shqiptarë të akuzuar për krime të rënda, persona të konsideruar me rrezikshmëri të lartë, prej të cilëve 78 të kërkuar për vrasje, dyshohet se strehohen në Britaninë e Madhe. E përditshmja britanike, “The Sun”, u ka kushtuar një artikull ekskluziv shqiptarëve të kërkuar nga drejtësia, të cilësuar si kriminelë të rrezikshëm dhe vrasës të gatshëm për të kryer krime të tjera edhe më të rënda. Gazeta angleze i referohet edhe një prononcimi të shefit të Interpol-Tiranës, Pëllumb Seferi, i cili pranon se pjesa më e madhe e këtyre personave, tashmë të kërkuar, janë të një rrezikshmërie të lartë. E përditshmja “The Sun” nuk ka preferuar të publikojë asnjë emër të këtyre personave, tashmë të shpallur “wanted” edhe nga Njësia e Ekstradimeve britanike, për shkak të rrezikshmërisë së tyre. Por, në artikullin e kësaj gazete përmenden dy raste, për dy shqiptarë mjaft të kërkuar nga Interpoli shqiptar, por edhe Scotland Yard, që sipas Njësisë së Ekstradimeve, njëri është bosi i një bande ndërkombëtare dhe tjetri ka ekzekutuar me automatik një person menjëherë pasi doli nga burgu. Sipas gazetës, pjesa më e madhe e tyre kanë jetuar në Britaninë e Madhe për vite me radhë, duke kryer më shumë krime nën emra të falsifikuar. Disave, madje, u është dhënë edhe pasaporta britanike. Sipas “The Sun”, vrasësit shqiptarë kërkohen nga Njësia e Ekstradimit e Scotland Yard, në mënyrë që të deportohen nga Britania e Madhe. Gjithashtu raportohet se dy detektivë nga kjo njësi kanë përpiluar një dosje mbi këta persona të kërkuar, bazuar edhe në informacionet e marra nga Policia shqiptare. “Këta njerëz do ta kalojnë gjithë jetën e tyre duke u ruajtur”, citon gazeta rreshterin Mel Humphreys, i Njësisë së Ekstradimit. Gjithashtu, “The Sun” citon edhe shefin e Interpol-Tiranës, Pëllumb Seferin, i cili shprehet se, “na duhet të punojmë fort me kolegët tanë në Londër që t’i nxjerrim këta kriminelë para drejtësisë në Shqipëri”. Pak kohë më parë, në Tiranë, një zyrtar i lartë i Drejtësisë britanike deklaroi se kriminaliteti shqiptar atje nuk ishte shumë i shpërndarë, por ishte “i ashpër” dhe i portretizuar në vepra të rënda penale.

© Panorama.al

Te lidhura