Thaçi: Veriu, me struktura kriminale, jo paralele

Sep 9, 2011 | 11:14

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se strukturat ilegale serbe në Veri nuk mund të sfidojnë vendimin e qeverisë së Kosovës për shtrirjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës, dhe se ato do të përballen me organet përkatëse të drejtësisë. “Atje nuk ka struktura paralele, por ka struktura kriminale, të cilat do të ballafaqohen me organet e drejtësisë dhe askush nuk mund të implementojë angazhimet tona për rend dhe ligj dhe për sistemin doganor e policor në pikat kufitare të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai. Komentet e Thaçit u bënë pas takimit me kryediplomatin grek, Stavros Lambrinidis, i cili kërkoi që zgjidhja e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bëhet përmes dialogut e jo përmes veprimeve të njëanshme. “Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës nuk ka ndryshuar dhe është mjaft i qartë. Unë jam sot këtu që të siguroj se do të qëndrojmë pranë popullit të Kosovës dhe se do ta mbështesim në rrugën europiane. Dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit është i një rëndësie të madhe. Dialogu mund të zgjidhë shumë çështje në rajon, çdo mënyrë tjetër është e rrezikshme dhe Europa nuk e mbështet atë. Pra, ju rekomandoj që të fokusoheni në rrugën e dialogut”, ka thënë Lambrinidis.

© Panorama.al

Te lidhura