Thaçi: Po zbatojmë vetëm paktin për vulat

Sep 14, 2011 | 13:50

PRISHTINE- Qeveria e Kosovës është e vendosur të implementojë njëanshëm, që nga e premtja, marrëveshjen me Serbinë për njohjen e vulave doganore. Kësisoj, do të heqë masën e reciprocitetit dhe do të lejojë hyrjen e mallrave serbe në territorin e Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi tha sot, në një konferencë shtypi, se në pikën doganore në Jarinjë nuk do të hyjnë mallra fare për shkak të mungesës së infrastrukturës, në Bërnjakë do të kalojnë këto mallra, por jo edhe ato që i nënshtrohen akcizës, ndërsa në Merdar do të mund të kalojnë të gjitha mallrat. Sipas tij, në këto porta doganore rolin udhëheqës do ta kenë oficerët doganorë dhe policët kufitarë të Kosovës, ndërsa asistencën do ta ofrojë EULEX-i dhe KFOR-i.

Për të implementuar marrëveshjen, sipas kryeministrit, Qeveria ka hartuar planin operacional, i cili ka mbështetjen edhe të EULEX-it dhe KFOR-it.

“Plani operacional nënkupton vendosjen e kontrollit kufitar të plotë dhe doganor në pikat kalimtare kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak”, tha kryeministri Thaçi. “Duke i marrë në konsideratë rrethanat aktuale, funksionalizimi i këtyre pikave do të bëhet duke iu nënshtruar disa rregullave të veçanta strikte”.

Ai ka alarmuar se Serbia po i përgatit strukturat kriminale për ta penguar funksionimin e marrëveshjes dhe rivendosjen e doganierëve dhe policëve kufitarë në Jarinjë e Bërnjakë.

Ai ka publikuar edhe vizionin e ri për qytetarët, që jetojnë në veri.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Ndërkombëtare Civile, ka përpiluar një udhërrëfyes të qartë për normalizimin e jetës dhe vendosjen e rendit e ligjit dhe demokratizimin e pjesës veriore të Kosovës. RK e konsideron pjesën veriore të Kosovës si një zonë etnikisht diverse, ku një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve që jetojnë atje identifikohen dhe ende kanë lidhje të fortë me Republikën e Serbisë”, ka thënë Thaçi.

“Edhe pse lidhjet përkatëse administrative do të jenë në dispozicion për të gjithë qytetarët në pjesën veriore të Kosovës, qeveria beson se interesat e komuniteteve, që jetojnë në pjesën veriore, më së miri mbrohen me anë të angazhimit dhe mbështetje të institucioneve të Kosovës së pari, e pastaj edhe mbështetjen pozitive vullnetimirë edhe nga RS me ofrimin e ndihmës për komunitetin në një mënyrë të koordinuar, transparente, të përgjegjshme dhe ashtu siç parashihet plotësisht në dokumentin Ahtisaari”, ka shtuar ai.

© Panorama.al

Te lidhura