Thaçi: Përfaqësimi sipas Kushtetutës, s’ka kthim pas

Jan 28, 2012 | 12:45

Kryeministri i quan injorantë të gjithë kritikët e paktit të ri me Serbinë

Kryeministri Hashim Thaçi u është përgjigjur ashpër pyetjeve të gazetarëve mbi krijimin e një kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimet rajonale, ku u përfol mbi mospërdorimin e termit “Republikë”. Lajmi, i cili u raportua nga mediat lokale një ditë më parë, ka bërë bujë dhe ka marrë kritika të forta edhe nga opozita. Por Thaçi tha se “vetëm një zë injoranti apo disfatisti nuk beson në funksionalizimin e plotë të shtetit të Kosovës”. Pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës ai ka dalë në një konferencë për mediat, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth kësaj çështjeje. “Qeveria e Kosovës do të jetë e përgjegjshme në procesin e dialogut duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e saj në fuqi dhe dokumentin e presidentit Ahtisari”, tha ai duke shtuar se kjo nënkupton respektimin e plotë të sovranitetit, integritetit territorial, të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Krahasimet e opozitarëve se lënia mënjanë e termit “Republikë” në takimet rajonale e bën Kosovën të paraqitet si gjysmë shtet i ngjashëm me Palestinën, Thaçi i vlerësoi se “janë plotësisht të paqëndrueshme, të atyre që nuk kanë besuar në bërjen e Kosovës shtet dhe nuk besojnë në konsolidimin e shtetit. Viti 2012 është viti i suksesit historik për Republikën e Kosovës dhe çdo zë pretendues për rikthim prapa është ose zë injoranti apo disfatisti”, tha Thaçi. “Kosova do të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran, ashtu si do të përfaqësohen të gjitha shtetet e rajonit”, ka deklaruar ai.

Jahjaga
Ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës mund ta lejojnë Presidenten Atifete Jahjaga të qëndrojë në detyrë më së shumti për gjashtë muaj të tjerë. Kështu shkruan e përditshmja kosovare “Zëri”. Kjo do të thotë se Jahjaga pritet që të largohet nga detyra e saj pa e përfunduar mandatin.

© Panorama.al

Te lidhura