Ndërsa Kosova dhe Serbia kanë marrë nga përfaqësuesi i BE-së, Robert Kuper, dokumentin me marrëveshjet e arritur, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë përsipër të shuajë zërat kundër tyre, duke këmbëngulur se “nuk ka asgjë për të fshehur për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Sipas Thaçit, është e vërtetë që Kushtetuta e Kosovës kërkon ratifikimin e marrëveshjeve ndërshtetërore në Kuvend, por ato që janë arritur me Serbinë janë konkluzione mes palëve. Thaçi beson se procesi i bisedimeve do të mbyllet me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë një pritjeje që u bëri gazetarëve, Thaçi ka sqaruar çështjen e bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se marrëveshjet e arritura nuk ka nevojë që të ratifikohen nga Kuvendi i Kosovës. “Natyrisht, marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Kuvendin e Kosovës, por këto janë konkluzione dhe sa i përket konkluzioneve nga takimet e përbashkëta ndërshtetërore, Kuvendi i Kosovës i ka dhënë mbështetje të plotë qeverisë për të diskutuar dhe për të nxjerrë konkluzione që janë në interes të Kosovës, por edhe në interesin e dy vendeve për një jetë më të mirë për qytetarëve të Kosovës, por edhe qytetarëve serbë”, tha Thaçi. Kryeministri Thaçi tha se këto konkluzione do ta përshpejtojnë procesin integrues të Kosovës dhe të Serbisë në Bashkimin Europian. Thaçi tha se tema të ardhshme të diskutimit mes palëve do të jenë telekomunikacioni, energjia, vulat doganore dhe çështje të tjera, që janë në interes të fuqizimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës, por edhe normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore.











