
Kryeministri Kosovar reagon për protestën e “Vetvendosjes” në kufi.
“Ata duan pushtet me dhunë. Do zbatojmë ligjin”
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar dje se nuk do të lejojë përsëritjen e janarit të vitit të kaluar të Tiranës edhe në Prishtinë. Në një intervistë për radion “Europa e Lirë”, Thaçi vlerësoi paralajmërimet e Vetëvendosjes për bllokimin e pikave doganore të Kosovës për mallrat që vijnë nga Serbia, duke cilësuar këtë aksion si mesazhin më të keq që mund të përcjellë Kosova në një kohë kur po merr udhërrëfyesin për liberalizimin vizave dhe po përgatit eliminimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare. Ai e cilësoi Lëvizjen Vetëvendosje si vetëfundosje, të paaftë dhe që kërkon të marrë pushtet me dhunë.
Zoti Kryeministër, janë paralajmëruar disa protesta dhe bllokada të reja të kufijve të Kosovës. Si mendoni të reagoni në këto situata dhe a do të mund ta menaxhoni gjendjen?
Viti 2012 është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Ne në datën 19 janar do të kemi vizitën e komisioneres Malstrom për dorëzimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave në Republikën e Kosovës, ndërsa më 24 janar do të dilet me qëndrimin e qartë se viti 2012 do të jetë viti përmbyllës i pavarësisë së mbikëqyrur në Kosovë. Do të jetë jashtëzakonisht me rëndësi për ne që të punojmë me standardet, vlerat dhe vizionin europian, e në asnjë rrethanë të merremi me veprime që e kthejnë Kosovën prapa, që prezantojnë Kosovën me një pamje që nuk përkon realitetin demokratik, me një pamje që rrezikon të ardhmen europiane dhe me një pamje që rrezikon edhe progresin për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur. Paralajmërimet e krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje për zhvillime apo reagime të dhunshme për të marrë në kontroll, në mënyrë formale, kufijtë e Kosovës janë mesazhet më të këqija të mundshme që mund t’i ndodhnin Kosovës në këtë kohë, tejkalojnë çdo autoritet kushtetues, legal dhe moral. Nuk është në rolin opozitar, por të një grupi joformal, pa ndonjë objektiv në kuptimin e reformave, por plotësisht kundër-kushtetues, anti-reformator. Duhet ta kuptojnë që me veprime të dhunshme nuk fitohet pushteti dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që zhvillime të tilla të pretenduara të dhunshme nga krerët e kësaj partie të jenë pamja e Republikës së Kosovës, në përmbyllje të vitit të katërt të pavarësisë.
Rrjedhimisht nga kjo, a do të lejoni që pikat kufitare të Kosovës të mbyllen, siç pretendon kjo parti politike?
Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, që t’i quaj “Vetëfundosje”, do të vetëfundosen, por nuk do të lejojmë që Kosovën ta fundosin në asnjë rrethanë. Nuk do të lejojmë gjithashtu qëllimin e këtyre krerëve të kësaj partie që janarin e vitit të kaluar të Tiranës ta sjellin këtë janar në Prishtinë. Shteti i Kosovës do të funksionojë në mekanizmin e vet kushtetues dhe ligjor, dhe këta krerë morën përgjegjësi personale për inicimin e këtyre veprimeve të paralajmëruara të dhunshme ndaj institucioneve dhe shtetit të Kosovës.
Ky aksion i Vetëvendosjes është paralajmëruar edhe si një lloj kundërpërgjigje ndaj masave të reciprocitetit. A po i respekton dhe zbaton qeveria juaj masat e tilla në raport me Serbinë?
Ne jemi duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sot, askush nuk ka të drejtë të pretendojë të marrë në duar autoritetin e institucioneve. Këto institucione kanë dalë nga vota e lirë. Ata duan pushtet me dhunë. Duan që të cenojnë institucionet e vendit. Kjo nuk është protestë në kuptimin e kërkesave politike dhe se ajo është e drejtuar drejtpërdrejtë kundër institucioneve të shtetit me prapavijë të qartë politike, që nga Dheu i Bardhë e Merdarë të zhvendosen përballë institucioneve të Republikës së Kosovës për të provokuar marrjen e dhunshme të pushtetit. Diçka e tillë nuk do të ndodhë në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e demokratike. Paralajmërimet për veprime të dhunshme të krerëve të kësaj partie janë ogurzi për Kosovën. Unë i falënderoj qytetarët e Kosovës dhe gjithë spektrin politik që janë distancuar prej tyre. Sot patriotizmi më i madh për të gjithë njerëzit është respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve. Puna për integrime europiane dhe jo imitimi i Zvonko Veselinoviçit nga këta krerë të paralajmërimeve të dhunshme. Prandaj, ne si qeveri do t’i kryejmë obligimet kushtetuese e ligjore dhe se nuk do të mund të thirret askush në motive patriotike për ta dëmtuar imazhin, perspektivën europiane të Kosovës. Pra, këto veprime të paralajmëruara të dhunshme, të krerëve të Vetëvendosjes do të dëmtojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, perspektivën e saj europiane, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.
Paaftësia e tyre për t’u ballafaquar me ide dhe alternativa politike në Parlament i ka ngjallur idetë e tyre për veprime të dhunshme në rrugë. Përgjegjësia do të jetë direkt personale e tyre për dhunën e paralajmëruar. Shteti i Kosovës nuk do të dorëzohet nga dhunuesit e ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
Ndërkohë, zoti Kryeministër bllokada e barrikada ka edhe në Veri të Kosovës. Do t’u jepni fund ju si qeveri këtyre veprimeve apo edhe paralajmërimeve tjera për bllokadat në mënyrë që shteti i Kosovës të ketë kufij të hapur europian, ashtu siç pretendon?
Qeveria e Republikës së Kosovës punon me model europian, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, bashkërisht me të gjitha autoritetet ndërkombëtare. Nuk është mirë që këta krerë marrin si shembull modelin serb të bllokadave. Perspektiva e Kosovës është në procesin integrues dhe jo në atë bllokues. Prandaj, ne do të punojmë bashkë me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. Sot për herë të parë kemi doganierë dhe policë kufitarë në pikat 1 dhe 31 në Veri. Do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave dhe është një proces i pakthyeshëm i normalizimit të gjendjes edhe në Veri, pra për lëvizje të lirë, për sundim të ligjit, për zgjedhje të lira, për lidership legjitim dhe investime socio-ekonomike.
Përmendët në disa raste shembullin e Shqipërisë…Ka paralajmërime se grupe të caktuara mund të vijnë në mbështetje të Vetëvendosjes. Do të lejoni që ata të vijnë në Kosovë?
Kosova nuk është në rrezik prej institucioneve legjitime, prej respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, e theksoj edhe një herë: Nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që janari i Tiranës së vitit 2011 të përsëritet në Prishtinë në janarin e vitit 2012 dhe të rrezikohet e gjithë perspektiva europiane e Republikës së Kosovës. Unë falënderoj edhe autoritetet në Tiranë që janë distancuar, edhe pozita edhe opozita, prej këtyre elementëve, e në të njëjtën kohë, edhe i gjithë spektri politik kosovar, shoqëria civile, mediat, veteranët e luftës, gjithë njerëzit, gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
© Panorama.alSerbët ndalojnë ministrin kosovar në kufi: Hyn vetëm si qytetar
Ministri i Diasporës në Kosovë, Ibrahim Makolli, nuk u lejua të kalojë kufirin me Serbinë nga pala serbe, ku rreth orës 11:00 të paradites së djeshme është kthyer mbrapsht në vendkalimin kufitar të Konçulit. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi dje se çdokush nga Kosova mund të hyjë në Serbi si qytetar i zakonshëm, e jo si ministër, dhe kjo është definuar me marrëveshjen e delegacioneve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Ai ka mbajtur një konferencë për shtyp për këtë çështje. Edhe qeveritarë të tjerë serbë kanë deklaruar se ministri Makolli mund të hyjë në territorin e Serbisë pa asnjë problem dhe nuk ka nevojë të kërkojë leje, pasi “ai është qytetar i Serbisë”. Makolli kishte në plan të takonte kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe atë të Preshevës, Ragmi Mustafa. Por ai arriti të takojë në zonën neutrale përfaqësuesin e Preshevës, Riza Halimi. Makolli ka thënë se me moslejimin e vizitës së tij në Preshevë dhe në Bujanoc, Serbia po dëshmon se nuk mund të shkëputet nga e kaluara dhe se nuk është e interesuar që të përmirësojë raportet në Ballkan. “Me forma të tilla ajo po ndikon në përkeqësimin e raporteve të përgjithshme në Ballkan”, tha ai. Makolli tha se as ai, dhe as përfaqësuesit e pushtetit lokal në Luginën e Preshevës nuk kanë marrë përgjigje zyrtare se përse nuk lejohet kalimi. Ministri u shpreh se nga ajo që ka kuptuar gjatë qëndrimit në zonën neutrale, “autoritetet serbe nuk do të më lejonin hyrjen në Luginë as si qytetar e as si ministër”.











