Thaçi akuzon Beogradin për krimet në Veri, reagon Tadiç

Sep 1, 2011 | 11:53

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzoi dje Beogradin zyrtar se qëndron prapa strukturave kriminale në Veri të vendit.Sipas Thaçit, të dhënat e institucioneve të rendit të Republikës së Kosovës tregojnë se këto struktura kriminale po shndërrohen në struktura paraushtarake. “Ditët e këtyre strukturave janë të numëruara. I bëj apel Beogradit të mos strehoje vrasësit e policit të Kosovës dhe të respektojë fletë-arrestet ndërkombëtare”, tha Thaçi. Ai shtoi se aktet e tyre në Veri ishin terroriste. KFOR dhe EULEX, në një deklaratë të përbashkët për shtyp, njoftuan dje se kanë përgatitur gjashtë fletë-arreste për persona që dyshohen se kanë lidhje me ngjarjet në Veri dhe vrasjen e policit kosovar. Ndërkohë, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka reaguar ndaj deklaratave të Thaçit, duke u shprehur se “deklaratat e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se institucionet serbe në Veri janë të lidhura me terrorizëm, janë paralajmërim për dhunë”. Tadiç tha se reagimi i Serbisë do të jetë i qetë, ndonëse, sipas tij, “institucionet e Prishtinës nuk janë imune ndaj krimit të organizuar dhe nuk mund të vendosin sundimin e ligjit në Veri”. Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian, Katerin Ashton, tha se BE nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve në Kosovë për ndërhyrjen në doganat në Veri të vendit, në fund të korrikut. “Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim”, tha Maja Kocijançiç. Ndërhyrja e autoriteteve të Kosovës në pikat doganore të Veriut nuk është mbështetur as nga faktori ndërkombëtar në Kosovë.

Përgënjeshtrimi

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i ka hedhur poshtë lajmet e publikuara në mediat serbe, se disa dëshmitarë për krimet lufte, në gjykimin ndaj Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, janë vrarë gjatë procesit. Zyrtarja e Gjykatës së Hagës, Nerma Jellacic, ka deklaruar se lajmet për vrasjen e dëshmitarëve janë absolutisht të pavërteta.

© Panorama.al

Te lidhura