Tevez tradhton Milanin për Interin

Jan 12, 2012 | 12:39

Ndizet beteja për Karlos Tevezin. Pak ditë nga derbi i Milanos, është gjithnjë e më i nxehtë rivaliteti mes Interit dhe Milanit, pasi të dyja klubet janë të bindura se mund të sigurojnë shërbimet e lojtarit. Dita e martë ka qenë vendimtare për tratativën. Zikaltrit kanë bërë ofertën e tyre: huazim me detyrim blerjeje përfundimtare në qershor, të fiksuar në 25 milionë euro, plus bonuset. Një ofertë kjo që Siti e ka pëlqyer, meqenëse Branka më parë e ka biseduar me Marud. Pra, shumë shpejt pritet të finalizohet akordi me klubin anglez dhe vetëm pastaj nënkampionët e Italisë mund të fokusohen tërësisht tek Tevez. Edhe nga ky front ka risi. Mësohet se Interi nuk do ta ketë kaq të vështirë sa mendohej që të bindë sulmuesin argjentinas. Në fakt, “Apashi” nuk e ka refuzuar kurrë skuadrën zikaltër, pavarësisht se ka një marrëveshje verbale me Milanin. Sapo ka mësuar për interesimin e Interit, Tevez ka thënë: “Dakord, le të bisedojmë”. Në këtë mënyrë, lojtari i Sitit i ka hapur dyert klubit të Moratit, po ashtu edhe menaxheri i tij, Kia Jorabçian. Është pikërisht ky i fundit tani, ai që pritet t’u japë drejtim tratativave. Ditën e martë, Branka dhe menaxheri i Tevezit kanë folur me njëri-tjetrin: ka qenë një bisedë për të konfirmuar ofertën që i është bërë Sitit dhe për të lënë takim pas disa ditësh, që në fakt duhet të zhvillohet të hënën, pas derbit. Palët do takohen dhe mund të diskutojnë për rrogën e futbollistit. Ndërkohë, Branka do vazhdojë bisedimet me Marud-in për të limuar detajet e ofertës. Këto janë të rejat nga fronti interist, por duhet pasur kujdes edhe nga lëvizjet e Milanit. PSG-ja u ka dërguar një ofertë prej 28 milionë eurosh kuqezinjve për Paton dhe duhet që klubi të heqë dorë nga braziliani vetëm nëse vjen Tevez. Pikërisht për këtë arsye, Galiani do të bëjë gjithçka për ta marrë argjentinasin.

Ranieri: Milan ka më shumë për të humbur
Për Klaudio Ranierin, ai i së dielës nuk është derbi i parë në karrierën e tij si trajner, por është i pari në krye të Interit. “Ndihet ndryshimi në qytet gjatë këtyre ditëve. Tifozët tanë na kërkojnë me ngulm që të sigurojmë fitoren. Jam i bindur se të njëjtën gjë bëjnë edhe ata të Milanit. Unë uroj dhe shpresoj që të jetë një ndeshje e madhe, të cilën ne natyrisht do kërkojmë ta fitojmë. Gjithsesi, e rëndësishme është të bëjmë ndeshjen tonë madhështore. Ata kanë më shumë për të humbur sesa ne, – thotë trajneri i zikaltërve. Interi është më mirë se dy muaj më parë, por skuadra ka ende punë për të bërë”.

© Panorama.al

Te lidhura