
Sulmuesi i pezulluar nga trajneri Roberto Mancini ka udhëtuar drejt Argjentinës pa lejen e klubit të tij. Drejtuesit e Mancester Sitit nuk dinin asgjë për të, ndërsa janë duke e pritur në trajnim me skuadrën. Për pasojë, të reja të mundshme pritet të ketë për argjentinasin, ndoshta një tjetër gjobë e majme. Karlos Tevez ka zbritur në aeroportin e Buenos Aires-it në 09:40, të martën në mëngjes, ndërkohë që u tha gazetarëve aty se po vinte në shtëpi “për të pushuar pak.” Ndërkohë, zëdhënësi i tij, Paul McCarthy, tha për “Sky Sports” se “Karlos ka shkuar në Argjentinë për të parë familjen, ndërsa nuk mund të them më shumë deri sa të kthehet, por sigurisht që është i vetëdijshëm se duhet të zbatojë rregullat e klubit.”
Sidoqoftë, ky udhëtim pa leje i tij drejt Argjentinës mund të përkthehet si një lamtumirë definitive për shpresat e Tevezit, që të riaktivizohet në ekipin e parë të Mancester City, pas pezullimit që mori për shkak të braktisjes së stolit dhe moszbatimit të urdhërit të trajnerit Roberto Mancini në ndeshjen e Championsit me Bajern Mynih. Trajneri italian i skuadrës angleze kishte lënë të kuptohej javën e fundit se do ta falte përfundimisht sulmuesin Tevez, nëse ky i fundit do t’i kërkonte falje atij si trajner, klubit dhe pjesës tjetër të ekipit. Por, në vend të kësaj faljeje, që kurrë s’ka ardhur deri më tani, Tevez u ka dërguar të gjithëve “një kartolinë” nga Argjentina, kur duhej të ishte në stërvitje, te Mancester City. Çka do të thotë se Karlos Tevez është gjithnjë e më i pabindur.











