Kanë qenë maturantët më të mirë të gjimnazeve të Tiranës ata që konkretizuan marrëveshjen e Universitetit me qendrën ndërkombëtare të edukimit “ETS”. Dje, për 100 maturantët e tri gjimnazeve më në zë në kryeqytet u zhvillua testimi i parë i TOEFL-it. Universiteti i Tiranës ende nuk ka përcaktuar një tarifë se sa do të kushtojnë këto testime, megjithatë, propozimet e bëra janë për tarifa sa më të ulëta. TOEFL është një test që rinovohet çdo dy vjet, ndërsa TOIC është për gjithë jetën.Drejtoresha rajonale e qendrës ndërkombëtare “ETS”, Kiara de Monti, tha për “AS”, se testimi i studentëve më TOEFL dhe TOIC u mundëson atyre lëvizjen e lirë në të gjithë botën. “Ne kemi ndërmarrë pilotimin e një produkti të ri, të qendrës së edukimit ETS, që është TOEFL Junior. Kjo seancë sot është falas. Në prill të këtij viti është nënshkruar një marrëveshje me ETS, administrimin e dy provimeve të rëndësishme si TOEFL dhe TOIC, për studentët e masterit, meqenëse kjo është një nga kërkesat e ligjit shqiptar. Tashmë jemi në fazat e para me Universitetin e Tiranës”, tha Chiara de Monti, drejtoreshë rajonale e qendrës së edukimit “ETS”. TOEFL, Test of English as a Foreign Language, vlerëson aftësitë e një individi për të përdorur dhe kuptuar gjuhën angleze, zakonisht për anglishten e përdorur nga amerikanët American English. Rezultatet e këtij provimi u kërkohen aplikantëve në kolegjet dhe universitetet që përdorin gjuhën angleze.
Studentët
Pikët e marra nga provimi i TOEFL-it janë të vlefshme vetëm për dy vite dhe pastaj ato fshihen nga baza e të dhënave zyrtare. Pa TOEFL nuk do t’i jepet mundësia asnjë studenti të vazhdojë një cikël studimi pasuniversitar Master apo Doktoraturë. Universiteti i Tiranës ka nënshkruar pak muaj më parë marrëveshjen me ETS për ekskluzivitetin e testimeve në gjuhën angleze.











