Terror në shkollë, qëllohet me breshëri në mes të nxënësve

Sep 17, 2011 | 12:06
Oborri i shkollës 9-vjeçare, ku u qëllua me armë

Nxënësit e ciklit të ulët të shkollës 9-vjeçare “Boçevë” janë terrorizuar dje në orën 10:00 nga një 15-vjeçar, banor i fshatit Shupenzë.Burime të sigurta informacioni saktësojnë se F. K. ka hyrë në oborrin e shkollës së këtij fshati dhe në mënyrë krejt të befasishme ka shtënë me breshëri në ajër. Fatmirësisht, nuk ka pasur asnjë të lënduar nga të shtënat. Nxënësit dhe mësuesit në atë moment ndodheshin në oborrin e shkollës duke pushuar, pas zhvillimit të orëve të para të mësimit. Krismat kanë terrorizuar nxënësit minorenë dhe mësuesit. Këta të fundit kanë lajmëruar me shpejtësi postën e policisë së Shupenzës. Efektivë të policisë kanë mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes, pasi largësia Shupenzë-Boçevë, aty ku ndodhej shkolla e fshatit, është një kilometër. Bashkë me efektivët e policisë kanë mbërritur pranë shkollës edhe prindërit e fëmijëve të vegjël. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje të autorit të identifikuar nga mësues e nxënës të fshatit, ndërkaq, prindërit kanë marrë me vete fëmijët dhe janë larguar nga territori i shkollës. Pas gati gjysmë ore, policia njoftoi se kishte prangosur autorin e ngjarjes. Madje, 15-vjeçarit iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pushkë automatike, me të cilën adoleshenti ngjalli panik e frikë te 70 nxënësit e shkollës fillore “Boçevë” dhe banorët e fshatit që ndodhet buzë rrugës nacionale Bulqizë-Peshkopi. Policia tha se F. K. është rritur jetim dhe njihej si një person problematik në komunën e Shupenzës. Dy prindërit e tij janë ndarë vite më parë dhe 15-vjeçari është rritur me gjyshërit e tij po në këtë fshat. Ai nuk rezultonte të ndiqte shkollën e mesme. Policia bëri me dije se ai nuk bëri rezistencë në momentin e ndalimit. Oficerë të Policisë Gjyqësore që morën në pyetje të riun, thanë se ende ai nuk i tregon shkaqet që e çuan në ndërmarrjen e një veprimi të tillë. Pas ngjarjes së pazakontë, prindërit e nxënësve thanë se ata nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë deri në sigurimin e objektit me rrethim dhe ndëshkimin e autorit të ngjarjes. Ndërkaq, Zyra Arsimore Bulqizë i kërkoi policisë lokale të rrisë masat për sigurimin e rendit e qetësisë në shkollat e qytetit dhe fshatrave.

70 nxenes
mësojnë në shkollën e fshatit Boçevë të Shupenzës. Ata janë traumatizuar nga plumbat e shtënë në oborrin e shkollës së tyre nga 15-vjeçari, i cili u ndalua disa orë më vonë.

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura