Sarandë, tenton të vrasë policin, arrestohet autori

Sep 29, 2011 | 9:24
SARANDE-Polici bashkiak i Sarandës, Ardian Kasemi i ka shpëtuar për mrekulli tentativës së një personi për ta vrarë, në afërsi të qendrës së qytetit të Sarandës. Grindja mes dy shtetasve ka nisur, në ish-axhensinë e udhëtarëve të Sarandës, ku Lavdërim Isufaj ka nisur të fyejë në krye të detyrës, policin Ardian Kasemi.
Motivet e kësaj, sqarojnë burimet policore, janë të dobëta. Në grindje e sipër, Lavdërim Isufaj, ka nxjerrë një thikë, dhe ka tentuar të godasë disa herë me thikë policin.
Per fat ai eshte shmangur disa here e me pas jane perleshur. Në këtë moment kanë ndërhyrë efektivët e patrullës së përgjithshme të Sarandës, të cilët kanë shoqeruar në komisariat autorin.
Pas disa orë hetimesh, policia ka vendosur arrestimin në flagrancë të shtetasit Lavdërim Isufaj, 56-vjeç, banues në fshatin Gjashtë Sarandë, i dënuar më parë më burg.
Ndaj tij, është ngritur akuza, “vrasje me dashje, mbetur në tentativë”. Ky shtetas, në muajin nëntor të vitit 2010, është arrestuar pasi ka kanosur me thikë familjarët e tij dhe ka kundërshtuar me dhunë forcat e policisë.

Shpresa Dine

© Panorama.al

Te lidhura