Sërish tensione, serbët bllokojnë urën mbi Ibër

Sep 15, 2011 | 9:13

MITROVICE- Serbët lokalë kanë bllokuar urën e Lumit Ibër, duke zbrazur së paku katër maune zhavorr mbi të. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

“Ajo çfarë e karakterizon natën e mbrëmshme në Mitrovicë është zbrazja e së paku katër maunave zhavorr mbi urën e Lumit Ibër në Mitrovicë dhe dëmtimi i një kamere të sigurisë në veri të Mitrovicës”.

“Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe KFOR-i do të koordinohen për veprimet e mëtejshme. E rëndësishme është se nuk ka persona fizikë të tubuar në afërsi të urës kryesore mbi Lumin Ibër, ndërsa pengesa fizike është prezente. Policia e Kosovës ka rritur masat e sigurisë në zonat e banuara me popullatë të përzier në veri”, tha Hoti.

Në veri janë rishfaqur tensionet pas paralajmërimeve të Qeverisë se Kosovës se nga e premtja do të hapen vendkalimet kufitare 1 dhe 31.

© Panorama.al

Te lidhura