Kryeministri sllovak, Robert Fico i ka kërkuar sot operatorit të rrjetit elektrik të vendit të tij që të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për Ukrainën, nëse nuk rifillon rrjedha e naftës përmes tubacionit Druzhba.
“Duke filluar nga sot, nëse pala ukrainase i drejtohet Sllovakisë për ndihmë në stabilizimin e rrjetit energjetik të Ukrainës, ajo nuk do ta marrë një ndihmë të tillë”, tha Fico, duke shtuar se masa do të anulohet pasi të rifillojnë furnizimet me naftë në vendin e tij.
Fluksi i naftës ruse në Sllovaki është ndërprerë për gati një muaj. Të shtunën e kaluar, Fico kërcënoi të ndërpresë furnizimin emergjent me energji elektrike në Ukrainë dhe i vuri Kievit një afat dy-ditor për të rikthyer pompimin e naftës ruse nëpërmjet territorit ukrainas.
Sllovakia dhe Hungaria janë të vetmet dy vende të BE-së që ende varen nga sasi të konsiderueshme të naftës ruse, e cila transportohet nëpërmjet tubacionit Druzhba, i cili ka qenë në funksion që nga epoka sovjetike dhe kalon nëpër territorin ukrainas.
Gjithashtu, Sllovakia dhe Hungaria kanë udhëheqës që mbajnë marrëdhënie të ngushta me Moskën, megjithëse janë anëtarë të BE-së, dhe shpesh janë përplasur me Brukselin për këtë çështje.
© Panorama.al












