Orët e fundit është ndezur tej mase atmosfera në qytetin e Vlorës. Drejtuesit e klubit janë të shqetësuar për ndeshjen me Skënderbeun në orën 16:00 të hënën ( pra nesër), pasi situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe në rast të ndonjë incidenti të dhunshëm, faturën do ta paguajë skuadra dhe klubi. Për këtë arsye, është hedhur edhe hipoteza që ndeshja me korçarët të luhet pa tifozë. Një lajm i tillë nuk është pritur aspak mirë nga fansat e Flamurtarit. Këta të fundit, menjëherë sapo janë vënë në dijeni të këtij plani kanë shpërthyer në kritika të ashpra ndaj drejtuesve. Në rrjetin social “Facebook”, qindra tifozë kanë paralajmëruar klubin që të mos bëjnë gafë të mbyllin dyert e stadiumit në ndeshjen me rivalët e Skënderbeut të hënën. Klubi mësohet se i ka kërkuar Policisë që të dalë me një deklaratë, se nuk mund të garantojë masat e sigurisë në stadium në një atmosferë të tillë, dhe më pas të komunikojnë drejtuesit e Flamurtarit se ndeshja do të zhvillohet pa tifozë. Një kërkesë e tillë është refuzuar nga Policia. Këta të fundit, kanë thënë se nuk mund të mbajnë qëndrime të tilla, për aq kohë sa Flamurtari nuk ka bërë asnjë kërkesë me shkrim që ndeshja të luhet pa tifozë. Madje, me disa dyshime, Policia ka dalë në një qëndrim zyrtar, duke thënë se është e gatshme të marrë masat për këtë ndeshje. “Policia e Vlorës, ashtu si edhe në ndeshje të tjera, po përgatitet që të marrë masat e duhura për ndeshjen e radhës që do të luhet në stadiumin Flamurtari. Nuk kemi nisur patrullimet, apo masat e dukshme, pasi është ende herët, por garantojmë se impenjimi i forcave të rendit do të jetë maksimal në këtë ndeshje, ashtu siç ka ndodhur gjithnjë”, ka thënë zëdhënësi i drejtorisë së Policisë së Vlorës, Dionis Sulaj. Ndërkaq, zyrtarisht drejtuesit e klubit nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim zyrtar.











