“Katër mënyra si bien dakord bizneset për më shumë para”
Konkurrenca në prokurimet publike mund të manipulohet përmes disa praktikave të zbatuara nga ofertuesit, që janë operatorë të një tregu të caktuar, me synimin e rritjes së fitimeve. Bëhet fjalë për ato të ashtuquajtura “marrëveshje të ndaluara”, të cilat kufizojnë konkurrencën dhe pa dyshim sjellin më shumë të ardhura për kompanitë që janë pjesë e saj. Kostoja e gjithë kësaj është që shtetit apo institucioneve u duhet të paguajnë më shumë para për të përballuar shpenzimet për realizimin e shërbimeve të caktuara. Për të parandaluar këtë, Autoriteti i Konkurrencës ka parë të arsyeshme të publikojë një udhëzim që i informon institucionet mbi praktikën e marrëveshjeve të ndaluara, të cilat kufizojnë konkurrencën dhe rrisin shpenzimet. Në udhëzim bëhen të qarta cilat janë disa nga mënyrat që ofertuesit përdorin për të përfituar më shumë para dhe cilat janë ato kushte tregu që favorizojnë një gjë të tillë. Në fund, Konkurrenca jep një seri këshillash për punonjësit e prokurimeve, për të dalluar raste specifike kur mund të ketë tentativa për abuzim nga pala ofertuese.
Ofertat abuzive
Janë katër lloje ofertash që mund të fshehin pas abuzim të palëve të interesuara për të fituar një tender. Autoriteti i Konkurrencës shpjegon në udhëzimin e tij se cilat janë këto lloj ofertash dhe si operojnë aktorët e tregut për të përfituar. Në çdo rast marrëveshjet e fshehta kanë efekt pozitiv për të ardhurat e tyre, të cilat, pasi tenderi fitohet, ndahen në bazë të vendimeve të marra para pjesëmarrjes. Ofertat e mbuluara janë forma më e përhapur e që përdoren nga ofertuesit për të përfituar një tender sipas një skeme të hartuar paraprakisht. E dyta është oferta e përmbajtur, ku palët kanë rënë dakord për të mos hyrë në garë. Oferta rotacion është oferta ku palët marrin pjesë të gjitha në garë, por paraprakisht kanë lënë kush do të jetë fituesi. Dhe e fundit është shpërndarja e tregut, ku operatorët marrin një pjesë të tregut dhe nuk pranojnë të shërbejnë për pjesën tjetër. Autoriteti i Konkurrencës, në udhëzimin e hartuar për prokurimet publike, thekson se punonjësit që vlerësojnë ofertat duhet të jenë vigjilentë për të kapur në kohë marrëveshjet e ndaluara dhe shenjat që reflektojnë mundësinë e ekzistencës së një marrëveshjeje të tillë. Kështu, vigjilenca ndaj takimeve të mundshme të konkurrencave para bërjes së ofertave, vlerësimi me kujdes i dokumentacionit që ofertuesit paraqesin duke marrë në studim edhe gabimet ortografike, paraqitja e çmimeve pak a shumë të njëjta apo zhargoneve standarde, duhet të merren në konsideratë. Kjo, sipas Autoritetit të Konkurrencës, do të bëjë që të ketë më shumë konkurrencë në treg dhe realisht edhe çmime më të mira për shërbimet e kërkuara dhe të përfituara përmes procedurave të tenderimit.
Ofertat e mbuluara
Oferta e mbuluar ndodh atëherë kur individët ose firmat pranojnë të paraqesin oferta në një nga rastet e mëposhtme: a) njëri nga konkurrentët pranon të paraqesë një ofertë më të lartë sesa oferta e fituesit të përcaktuar; b) një nga konkurrentët pranon të ofertojë me një shumë që është shumë e madhe për t’u pranuar; c) njëri nga konkurrentët paraqet një ofertë që përmban terma specifikë të papranueshëm nga blerësi (autoriteti kontraktor).
Ofertat e përmbajtura
Skemat e ofertave të përmbajtura përfshijnë marrëveshjet midis konkurrentëve në bazë të të cilave një apo më shumë firma bien dakord që të përmbahen nga oferta (mos ofertojnë), apo të tërhiqen nga një ofertë e paraqitur në mënyrë që oferta e përcaktuar fituese në marrëveshje të pranohet si e tillë. Oferta e përmbajtur në thelb nënkupton që një operator ekonomik paraqet një ofertë që nuk e merr në konsideratë deri në fund.
Ofertat në rotacion
Në këtë skemë ndërmarrjet pranojnë të ofertojnë, por ato bien dakord të rrotullojnë të qenit fitues (kualifikohet oferta më e ulët). Mënyrat në të cilat rotacioni mund të zbatohet janë të ndryshme. P.sh., pjesëmarrësit në marrëveshje mund të zgjedhin të ndajnë me përafërsi volume vlerash monetare të barabarta për grupe të caktuara kontratash për secilën ndërmarrje, ose të ndajnë volume që korrespondojnë me madhësinë e çdo ndërmarrjeje.
Shpërndarja e tregut
Ndërmarrjet konkurrente i ndajnë klientët në specifika ose në tipa për ndërmarrje të ndryshme. Në këtë mënyrë konkurrentët nuk do të ofertojnë, (ose do të pranojnë një ofertë të mbuluar), në kontrata të ofertuara nga një klasë klientësh të mundshëm, të cilat i janë dhënë një ndërmarrjeje të caktuar. Në kthim, ky konkurrent nuk do të ofertojë në mënyrë konkurruese për një grup të caktuar klientësh që u përkasin ndërmarrjeve të tjera në marrëveshje.
Shenjat për abuzim nga ana e ofertuesve
• I njëjti ofertues paraqitet shpesh si ofertuesi me ofertën më të ulët.
• Ka një shpërndarje gjeografike të fituesve të tenderëve. Disa ndërmarrje marrin pjesë në tenderë që i fitojnë vetëm në një sipërfaqe gjeografike të caktuar.
• Ofertues të rregullt kanë dështuar në paraqitjen e ofertës në një tender në të cilin ata normalisht pritej të ofertonin, por vazhdojnë të ofertojnë për tenderë të tjerë.
• Disa ofertues papritur tërhiqen nga ofertimi.
• Disa ofertues gjithmonë ofertojnë, por asnjëherë nuk fitojnë.
• Secila kompani duket sikur merr kthesë me të fituar ofertën.
• Dy ose më shumë biznese marrin përsipër një ofertë të përbashkët, edhe pse njëri prej tyre mund ta realizonte ofertën i vetëm.
• Fituesi i tenderit në mënyrë të përsëritur u nënkontrakton punët ofertuesve jofitimtarë.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











