Tenderat dhe monitorimet, rriten 30% ankesat te Avokati

May 12, 2011 | 8:59
Avokati i Prokurimeve

Katër muajt e parë të këtij viti kanë rezultuar me një lumë ankesash pranë zyrës së Avokatit të Prokurimeve, ku janë regjistruar 172 të tilla.Në regjistrin online të ankesave rezulton që nga institucioni i Avokatit të jenë kryer në masë edhe monitorime, që lidhen me prokurime të ndryshme për të cilat janë marrë sinjalizime. Kjo shifër ankesash dhe monitorimesh për periudhën janar-prill është më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë, kur për katër muajt e parë janë regjistruar vetëm 115 ankesa. Në fakt, ajo që bie në sy është fakti që për këtë vit vetëm në prill janë regjistruar 75 ankesa dhe monitorime, çka krahasuar me prillin e vjetshëm, është më shumë sesa gjysma kur u regjistruan plot 33 ankesa. Një rritje më e lehtë vihet re edhe në muajt e tjerë të këtij viti, ku në janar janë regjistruar 22 ankesa dhe monitorime, në muajin shkurt 31 ankesa dhe monitorime, në muajin mars 44 ankesa dhe monitorime bashkë. Për Avokatin e Prokurimeve mbikëqyrja lidhet me mënyrën se si zhvillohen tenderat dhe iniciativa për shqyrtimin e një procedure të zhvilluar prokurimi apo për një monitorim të caktuar e merr pas sinjalizimit nga të tretë apo pas ankimimeve të kompanive, që pretendojnë se janë përjashtuar me pa të drejtë. Ajo që vihet re në këtë vit është rritja e numrit të monitorimeve nga Avokati i Prokurimeve, që siç duket ka ardhur paralelisht edhe me rritjen e ankesave për këtë proces. Vitin e kaluar, në muajin janar janë regjistruar vetëm 18 ankesa dhe monitorime, në muajin shkurt 24 ankesa dhe monitorime bashkë, në muajin mars 40 ankesa dhe monitorime. Rritja e numrit të ankesave duket se mbart me vete një pjesë të atyre problematikave që Avokati i Prokurimeve ka ngritur vit pas viti në raportet vjetore, si hartimi i dokumenteve të tenderit, jo në përputhje me përcaktimet ligjore, e lidhur kjo me tejkalim të kufijve monetarë dhe kohorë, apo  specifikime teknike të ekzagjeruara apo zvarritje e procedurave të tenderimit në mënyrë të qëllimshme. Për vitin 2010, pranë Avokatit të Prokurimeve kanë shkuar gjithsej 300 ankesa, çka  tregon një prurje më të ulët të ankesave në vitin e kaluar, sesa në këtë vit, ku kanë mjaftuar vetëm katër muaj për të regjistruar plot 172 ankesa dhe monitorime.

Ankesa dhe monitorime

Janar
Viti 2010                  18
Viti 2011                  22

Shkurt
Viti 2010                24
Viti 2010        31

Mars
Viti 2010        40
Viti 2011        44

Prill
Viti 2010        33
Viti 2011        75

Gjithsej
Viti 2010        115
Viti 2011        172

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura