Teli dhe Bakaj: Basti ynë, zëvendësimi i “senatorëve”

Nov 9, 2011 | 9:27

Bakaj ne miqesoren me Argjentinen

Për Admir Telin dhe Elis Bakajn, largimi së fundmi nga skuadra i disa lojtarëve veteranë nuk do ta dobësojë Kombëtaren.
Sipas dy kuqezinjve, si Lala dhe Skela kanë qenë lojtarë model për atë çka kanë dhënë në fushën e lojës me ekipin përfaqësues, ndaj u mbetet detyrë lojtarëve aktualë më të rinj që të bëjnë më të mirën, që të mos ndihen këto mungesa. Sakaq, si shkodrani, edhe tiranasi kanë konfirmuar se janë në formë të mirë dhe presin që ndaj Azerbajxhanit dhe Maqedonisë skuadra jo vetëm të zhvillojë një lojë të mirë, por edhe të fitojë me qëllim që të kthejë besimin e tifozëve te kjo skuadër.
Admir Teli: “Këto dy ndeshje do shërbejnë për konfirmimin e këtyre emrave të rinj, të cilëve u del si detyrë që të bindin me lojën e tyre dhe të mund të zëvendësojnë lojtarët e larguar. Normalisht veteranët, Skela, Lala, kanë qenë lojtarë model dhe do jetë e vështirë për të gjetur ekuivalentë me ata në këtë Kombëtare, por gjithsesi unë jam i bindur se Kombëtarja nuk ndihet e dobësuar. Sakaq, në këto dy ndeshje duhet me patjetër që të marrim fitore, duke zhvilluar edhe një lojë të mirë, pasi në takimet e fundit kualifikuese kemi marrë rezultate disi zhgënjyese, ndaj duhet që me patjetër kjo Kombëtare të kthejë besimin te tifozët e vet. Do drejtojë Mustedaganiç, i cili sipas meje është një trajner mjaft i mirë që e njeh ekipin dhe e ka drejtuar edhe më parë. Kujtojmë se nën drejtimin e tij kjo Kombëtare luajti si ndaj Bjellorusisë, edhe ndaj Bosnjës, kështu që nuk duhet parë me skepticizëm. Për sa i përket gjendjes sime fizike, mund të them se jam në formë dhe kam luajtur rregullisht në të gjitha ndeshjet me skuadrën time në Azerbajxhan”, ka pohuar Teli.
Elis Bakaj: “Azerbajxhani dhe Maqedonia janë dy ekipe të të njëjtit nivel, ndaj shpresoj që ndaj tyre të zhvillojmë një lojë të mirë, të marrim rezultat, pasi na nevojitet për të kthyer frymën pozitive përreth skuadrës. Ikja e veteranëve natyrisht është një minus për neve, por si për çdo lojtar ka një fillim dhe një fund, ndaj në rastin konkret na mbetet neve që të bëjmë të pamundurën që largimet e tyre të mos ndikojnë në lojën e Kombëtares jo vetëm në këto dy ndeshje, por më së shumti në ato kualifikuese për Botërorin. Një parashikim? Ne luajmë për fitore, paçka se janë dy takime miqësore. Gjithsesi, më shumë se për rezultat, këto ndeshje vlejnë për të konfirmuar disa lojtarë që kanë luajtur pak”, ka përfunduar deklaratën e tij Bakaj.

Ahmed Januzi: Dua minutat e mia, do t’ju bind
Sulmuesi kosovar i Kombëtares shqiptare, Ahmed Januzi, ndihet në superformë, ndaj kërkon që në këto dy ndeshje të tregojë se meriton më shumë se stolin e pankinës kuqezi. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Januzi ka premtuar se do ta bindë trajnerin që ta aktivizojë në dy miqësoret e programuara. “Jam në një formë shumë të mirë, pasi jam stërvitur rregullisht te Vorskla dhe kam luajtur thuajse në të gjitha ndeshjet. Them se jam rritur  mjaftueshëm për të qenë pjesë e kësaj skuadre dhe, nëse do më jepet mundësia, në këto dy ndeshje do jap maksimumin tim. Besoj se si ndaj Azerbajxhanit, edhe ndaj Maqedonisë do t’u jepet mundësia shumë lojtarëve të rinj që janë aktivizuar pak me Kombëtaren, ndaj dua ta shfrytëzoj në maksimum këtë mundësi. Them se do bind jo vetëm trajnerin, por edhe tifozët kuqezinj me formën time dhe shpresoj që në të ardhmen të kem më shumë hapësira për të dhënë kontributin tim”, ka thënë dje Januzi.

U-21 mund Kamzën 2-1 në miqësore
Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë ka zhvilluar dje një miqësore ndaj skuadrës së Kamzës. Të besuarit e Gegës fituan me rezultatin 2-1, ndërsa tekniku aktivizoi thuajse të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion. Pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërsa të tre golat u shënuan në pjesën e dytë. Fillimisht ishte Sadiku që zhbllokoi rezultatin në minutën e 54-t, ndërsa në të 63-ën, Altin Hoxha dyfishoi shifrat. Më pas erdhi reagimi i kamzalinjve me Manukën në minutën e 76-të.
LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura