Tedi Blushi përplaset me kryetaren e KLP-së në Komisionin e Ligjeve: Prokurorët po kthehen në inkuizitorë, drejtësia në rrezik

Oct 20, 2025 | 18:31

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, është përplasur me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, gjatë raportimit të saj për punën e KLP-së gjatë vitit 2024 në Kuvend.

mirela bogdani tedi blushi

Blushi akuzoi KLP-në dhe strukturat e drejtësisë se po shndërrohen në një “Republikë të Prokurorëve”, që sipas tij po sfidojnë institucionet dhe po rrezikojnë shtetin e së drejtës.

Deputeti ngriti shqetësimin edhe për rritjen e numrit të të paraburgosurve pa akuza konkrete dhe theksoi se “1/3 e të paraburgosurve janë pa akuzë”, sipas tij një pasojë e kërkesave të pamatura të prokurorëve.

Fjala e Tedi Blushit: 

Prokurorët, nga akuzues ligjorë, po shndërrohen në inkuizitorë ndaj qytetarëve të thjeshtë, dhe veçanërisht ndaj opozitës. SPAK është në krye të këtij inkuizicioni modern, duke pasur një qasje krejtësisht represive ndaj opozitës dhe ndaj vetë pluralizmit politik në vend.

Kur edhe ju vetë, si kryetare e KLP-së, iu referuat qasjes represive të SPAK, çfarë keni pasur parasysh konkretisht?

Prokurorët, me kërkesat e tyre, po mbushin burgjet me qytetarë të pafajshëm. Më alarmante është se 1/3 e të paraburgosurve janë ende pa akuzë. Po krijohet një perceptim i rrezikshëm në publik, sikur akti i ngritjes së akuzës është njësoj me dhënien e drejtësisë. Në fakt, drejtësinë duhet ta japë gjykata – jo prokuroria.

Arrestimi i një avokati është një akt barbar institucional, që duhet të kishte ngritur në këmbë gjithë shtetin e së drejtës. Ju si KLP heshtët! Ju thatë se nuk ndiheni nën presion nga politika, por sugjerime nga diplomatë të caktuar për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK – a keni marrë?”

© Panorama.al

Te lidhura