“Të përmbyset sistemi, të largohen Rama dhe Berisha”- Aktivistja nga Brukseli: Sa herë kam dashur të kthehem në Shqipëri, rrugët janë prerë!

Jun 17, 2026 | 15:48

Aktivistja shqiptare Mirza Balaj, deklaroi nga Brukseli në lidhje direkte me studion e “News24”, se dy liderët e vjetër të politikës shqiptare, Rama dhe Berisha, duhet të largoheshin, sistemi të përmbysej dhe t’i hapej rrugë rinisë.

mirza balaj

Ajo tha se sa herë që ka tentuar të kthehet në Shqipëri, i janë prerë rrugët për shkak të sistemit të kapur politik dhe institucioneve të korruptuara.

Aktivistja tha se së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe kryeopozitarin Sali Berisha duhet të përmbyset edhe sistemi e duhet të zhvillohet demokracia përfaqësuese.

“Brezi ynë duhet t’i japë Shqipërisë, por për t’u rikthyer duhet të kem një garanci ekonomike. Të gjitha herët që kam dashur të rikthehem më janë prerë rrugët. Së bashku me Ramën dhe Berishën duhet të përmbyset edhe sistemi”, deklaroi aktivistja.

Ajo vuri në dukje se kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së mekanizmave demokratikë.

Balaj tha se edhe Kodi Zgjedhor duhet të ndryshojë, pasi ai aktual e ka bërë të paarritshëm përfaqësimin për partitë e vogla.

“Mekanizmat e demokracisë përfaqësuese në Shqipëri janë thuajse inekzistente, duhen 20 mijë firma për të propozuar një ligj dhe nuk ka referendum. Ligji elektoral dhe Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet, partitë e mëdha po punojnë për ta bërë këtë kod të paarritshëm për partitë e vogla”, deklaroi aktivistja.

Balaj u shpreh se protestat qytetare po marrin mbështetje të gjerë pasi, sipas saj qytetarët kanë vite që përballen me raste të shumta të keqmenaxhimit të pronës dhe fondeve publike.

Sipas aktivistes, qytetarët shqiptarë janë tashmë më të ndërgjegjshëm për problematikat dhe nuk ndikohen lehtësisht nga propaganda politike.

“Rama ka frikë vetëm SPAK dhe protestuesit. Secili prej nesh që ka dalë në protestë, ka dalë se ka shumë vite që sheh rast pas rasti, se si jepet prona publike. Si merret pronat, si shemën rrugët, se si merren fondet publike, si jepen PPP te privati. Shqiptarët kanë parë shumë përditë, për mos t’u influencuar nga lufta hibride dhe nga mediat. Shumë shpejt me këtë energji që ka populli shqiptar, do të jetë terreni i frytshëm që çdo mburojë e tyre, kombëtare dhe ndërkombëtare, të bjerë”, tha ajo.

© Panorama.al

Te lidhura