
Mauro de Vekis është emri më i ri që drejtuesit e Kamzës kanë pohuar se do të jetë trajneri i ri. Por De Vekis rezulton një trajner i dënuar në Itali për trukime, çka komprometon direkt aventurën e tij në skuadrën nga periferia e kryeqytetit. Sipas mediave italiane, ish-trajneri i Foglianeses, një skuadër kjo diletantësh, është dënuar për trukim të një ndeshjeje me tre vjet pezullim, si dhe me 3 mijë euro gjobë. Ndërsa skuadrës iu hoqën 5 pikë nga renditja e përgjithshme. Sezonin e shkuar, Foglianese ishte në garë për t’u ngjitur një kategori më lart, ndaj i mjaftonte një fitore në ndeshjen e fundit për të realizuar ëndrrën. Për të qenë i sigurt, De Vekis, nëpërmjet kapitenit të vet, i cili njihte mirë portierin e skuadrës kundërshtare, foli me këtë të fundit duke i premtuar se nëse do trukonte takimin, duke hapur portën, atëherë ai do ta merrte sezonin 2011-2012 në skuadrën e tij dhe do ishte një titullar i padiskutueshëm. U tha, u bë. Por në fund të ndeshjes, plasi një sherr mes dy ekipeve në fushë dhe, pas hetimeve të bëra, doli edhe biseda e teknikut me portierin. Kështu, federata mori menjëherë masa duke e dënuar teknikun De Vekis, i cili tanimë pritet të zyrtarizohet në drejtim të Kamzës.
Skënderbeu, biletë G.Likës për Antalia
Mesfushori i Tiranës, Gilman Lika, mban peng Skënderbeun. E ndërsa korçarët kanë bërë gati “valixhet” për të udhëtuar drejt Turqisë për fazën përgatitore, mësohet se drejtuesit kanë rezervuar edhe një vend për mesfushorin shkodran. Lika ka pranuar të flasë me drejtuesit për një mundësi kalimi te kjo skuadër, madje ka dëgjuar edhe propozimet financiare. Mirëpo, teksa ai paralelisht ka dhe disa oferta të tjera, nuk ka vendosur nëse do ta lërë ekipin e Tiranës dhe bashkë me të ofertat e tjera për t’iu bashkuar Skënderbeut. Madje, nga sa mësohet, gjatë orëve të pasdites të ditës së djeshme sërish bardhekuqtë kanë qenë në të tjera biseda me lojtarin në fjalë, por ende ky i fundit nuk ka thënë fjalën e tij përfundimtare, nëse do të bëjë apo jo edhe ai gati valixhet për të udhëtuar me skuadrën drejt vendit të ngrohtë turistik, ku do të zhvillohet minifaza përgatitore.











