Përdorni shqisën e gjashtë, që të shijoni 5 të tjerat…
Nuk është byrek i mirëfilltë, por mund ta quajmë edhe lakër e mbushur në formën e kekut. Me të njëjtën recetë, në vend të lakrës mund të përdorim petë byreku të gatshme dhe atëherë mund ta quajmë tamam byrek. Pra mund të kombinoni përbërësit dhe të eksperimentoni sipas shijes suaj.
Përdorni produktet e stinës
Po të jeni të vëmendshëm në tregun e zarzavateve, do të shihni që në këtë sezon, lakra e bardhë, lulelakra dhe bronkolit, duket sikur sapo janë këputur. Mos lakmoni lakrën e madhe me formë të mirë. ato të voglat me relieve gjithfarësh janë më të mirat. Lulelakrat e vogla dhe bronkolit gjithashtu. Kjo është stina e tyre dhe bëni mirë t’i përdorni ku të mundni. Mos e kufizoni menynë, as fantazinë, sepse mund të kenë përdorime të shumta. Me brokoli apo lulelakër, mjafton ti fusni në mider dhe kaurdisni pak, për të përftuar qoftë një supë të ngrohtë, qoftë një salcë makaronash të shijshme. Me lakrën, që për shkak të traditës (dhe ekonomisë) e njohim më shumë, gjithashtu mund të bëjmë qoftë mbushje byreku, qoftë gjellë. Receta e mëposhtme është një tjetër alternativë. Për vetitë e të tri këtyre produkteve që janë pjesë e së njëjtës familje,lakrorëve, do shkruajmë të dielën e ardhshme.
Byrek me lakër turshi (ose kek i kripur)
Përbërësit:
500g mish të grirë
1 qepë e grirë hollë
4 lugë gjelle vaj ulliri
150 g proshutë të prerë
100g kërpudha të grira
1 lugë gjelle salce domateje
1 filxhan çaji ujë jo plot
1/2 lugë çaji piper të kuq
240 g oriz gjysmë të zier
kripë, piper sipas dëshirës
1 lugë çaji mendërz të njomë
majdanoz të grirë hollë 1 lugë gjelle
5-6 fleta lakre turshi
120 g Spek të prerë shirita për së gjati
2-3 lugë vaj ulliri
½ filxhan ujë.
Përgatitja.
Në fillim merremi me mbushjen. Në një tigan kavërdisim qepën e grirë hollë, shtojmë aty edhe copat e proshutës së grirë dhe kërpudhat, kripën, piperin e kuq, orizin gjysmë të zier, salcën e domates dhe ujë. I lëmë sa të pinë gjithë ujin.
Në një tas vëmë mishin e grirë, shtojmë edhe qepën e grire në rende, kripë piper përziejmë me dorë. Po aty shtojmë përzierjen e kavërdisur të tiganit dhe përziejmë që të bëhet një masë. Shtojmë mendërzën dhe majdanozin e grirë hollë.
Në formën e kekut (enë) të cilin e lyejmë kudo me vaj ulliri vëmë në fillim shiritat e spekut. Shtrojmë fetat e lakrës ose petat nëse do e bëni me petë byreku, hedhim mbushjen midis mbushjes vemë nja dy lugë gjelle ujë nëse është shumë e thatë përzierja dhe e mbyllim. E mbulojmë lart me letër alumini që mos të digjet lakra nëse do përdorim petët e byrekut jo. E pjekim në 200 gradë, ku furrën e kemi nxehur më parë rreth 25-30 min. E lëmë të pushojë pak përpara se ta përmbysim në pjatancë. Zbukurojmë sipas dëshirës, unë kam përdorur kosin e kulluar me pak kripë, domatet qershi dhe rozmarinë.
Supa e dimrit me portokalli dhe karrota
Receta për 3 persona:
– 2 portokall të cilave ua shtrydhim lëngun rreth 250 ml lëng.
– 4 karrota të mëdha të prera në copa
– 500 ml – 600ml lëng pule ose lëng zarzavatesh
– 1 lugë gjelle creme fraiche ose salcë kosi ose kos të trashë.
– 1 qepë të vogël të grirë hollë edhe pak presh po deshët
– 2-3 luge gjelle vaj susami ose luledielli
– kripë, piper sipas dëshirës
– pak pluhur speci djegës kujt i pëlqen
– majdanoz të grirë shumë hollë për servirjen.
Për copat e bukës lart na duhen:
– 1-2 feta bukë të bardhë
– pak vaj luledielli ose susami
– fare pak kanellë
– majdanoz të grirë shumë hollë për supën lart.
Përgatitja:
Kaurdisim qepën lehtë. Shtojmë karrotat pastaj edhe lëngun e mishit dhe i ziejmë rreth 20 min.
Në fund shtojmë të gjitha erëzat për ta mbyllur me lëngun e portokallit të sapo shtrydhur. Nuk e ziejmë më. Kjo supë përdoret e freskët dhe është mjaft e shëndetshme meqenëse edhe përbërësit kryesorë të përgatitjes janë të stinës. Nuk duhet të rrijë gjatë se hidhërohet. Me lugën e drurit supën e bëjmë pure duke e shtypur gjatë trazimit. Shtojmë edhe kremin fraiche (kos ose salcë kosi). Në një tigan skuqim lehtë copat e bukës që na duhen për të servirur.
[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!











