Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Nov 13, 2011 | 11:43

Sadija ëmbëlson panairin

Në një nga stendat e Panairit të Librit, Sadije Berisha firmosi dje për “pirunët e mirë” librin e saj me receta “Dëshira të ëmbla”. Ndër komente e atyre që i kishin provuar një pjesë të recetave të saj, nuk mungoi as ai i gruas së Kryeministrit, Liri Berishës, e cila u tregonte mikeshave se sa i mirë kishte dalë keku që Sadija iu kishte përgatitur në

Foto: Ani Jaupaj

shtëpi. Bashkë me të ëmën, ishte edhe vajza e saj, Argita. Të tria, sapo hynë e tërhoqën vëmendjen e blicave të aparateve, sado që e zonja e librit nuk e kishte parashikuar. Kishte dashur ta ndante me të tjerët atë dashuri që e ëma kishte ndarë me të qysh në fëmijëri, teksa i shihte duart e zbardhura nga bora e miellit që ngjishnin brumë, apo shkrinin çokollatë. Mes zhurmës së Panairit të Librit, Sadije Berisha përpiqet të ofrojë pak ëmbëlsi. Në stendën e shtëpisë botuese “55” dje firmosi “Dëshira të ëmbla”, librin me receta ëmbëlsirash, të cilin e hodhi në treg disa muaj më parë. “Dëshira ime ishte të ndaja me të tjerët kujtimet e mia më të ëmbla, eksperiencën time të gatimit dhe ato receta që i kam zbuluar gjatë viteve, apo m’i kanë trashëguar. Është një kënaqësi e veçantë kur bëhesh pjesë e familjeve shqiptare, kur ato gatuajnë mbi recetat e tua… Aq më tepër kur më thonë se si kanë ndjekur recetat dhe si u kanë dalë ëmbëlsirat”, thotë Sadija, bashkëshortja e djalit të Kryeministrit Sali Berisha, teksa firmos mbi librin shumëngjyrësh. Arti i kuzhinës ka qenë një pasion i hershëm i saj, çka e ka trashëguar nga e ëma, kujtimet e së cilës i vijnë bashkë me aromën e biskotave dhe të ëmbëlsirave të pjekura. “Dëshirën për gatimin e kam të trashëguar nga mamaja ime, çka edhe unë po e bëj me fëmijët e mi. Me djalin dhe vajzën, që është 6 vjeç, ne gatuajmë së bashku. Dhe është një nga momentet më të bukura të ditës, që na fal shumë kënaqësi”. Ndonëse nuse në derën kryeministrore, Sadija është munduar të qëndrojë sa më larg vëmendjes së mediave, por tanimë ky libër ëmbëlsirash ia zhveshi anonimatin. Tanimë ajo nuk e shmang dot, jo vetëm vëmendjen e kamerave, por edhe të vizitorëve kureshtarë të panairit, të cilët zgjasin kokat drejt stendës edhe më shumë, kur pranë saj afrohet bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha, me të bijën, Argitën dhe mbesat. Prezantimi i një libri është një festë familjare dhe një rast i mirë që femrat të shfaqen vetëm, pa meshkujt në krahë. “Dëshirat e ëmbla” ishte libri e parë, që me shumë gjasë do të pasohet nga një i dytë, por nga aq pak sa na zbulon Sadija, duhet të jetë i kripur kësaj here. Por, të bësh një libër recetash nuk është edhe aq e thjeshtë, e ndoshta do të na duhet të presim edhe një apo dy panaire të tjerë për ta pasur në duar…

Meqë jemi në stinën kur portokajtë duken si diej mes gjetheve përherë të gjelbra, nga libri i Sadije Berishës kemi përzgjedhur recetën e një keku me portokall.
“Ky kek me pamje të bukur, më sjell ndër mend ngjyrat e perëndimit të diellit”, thotë Sadija. “Shijojeni siç është, ose e shoqërojmë me një lugë panë të rrahur”, këshillon ajo.

Kek me portokall
Përbërësit:
1 kore e poshtme
Shtohet 1 lugë kafe sodë buke

Mbushja:
3 të verdha vezësh
1 decilitër sheqer
Lëkura dhe lëngu i një portokalli
Feta të holla të katër portokajve (2 të zakonshëm dhe 2 të kuq)

Ngrohet temperatura paraprakisht në temperaturën 200 gradë. Nevojitet një tavë me fund të lëvizshëm (me diametër 23 cm). Korja e poshtme shtypet derisa të ngrihet 3 cm anash tavës. Korja e poshtme piqet paraprakisht për 10 min.

Mbushja:
Në një tigan të thellë rrihen të verdhat e vezëve, sheqeri dhe portokalli. Masa zien ngadalë në zjarr të ulët deri sa të trashet (Masa nuk duhet të vlojë). Pastaj shtohet lëkura e portokallit (e grirë në rende).
Në pjesën e fundit të kores së poshtme hidhet kremi.
Shtohen fetat e qëruara të portokallit, të cilave iu është hequr cipa.
Keku me portokall piqet në temperaturë 200 gradë për 15-20 minuta. Shërbehet i ngrohtë.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

© Panorama.al

Te lidhura