“Të derdhemi në shesh!”- Berisha për protestën: Po vjen uragani i fitores! Qeveria vendosi ligjin e mafies dhe tani duan t’u vjedhë të ardhmen evropiane

Feb 10, 2026 | 16:33

Lideri i PD, Sali Berisha, i bëri sot thirrje të gjithë shqiptarëve që të derdhen në rrugë, sheshe e bulevard, në momentet më kritike të historisë së vendit dhe për të rrëzuar narkoregjimin.

Berisha protesta 1

Kreu i PD kërkoi pjesëmarrje sa më të lartë, si indinjatë ndaj qeverisë që ka vendosur ligjin e mafias dhe po vjedh paratë e shqiptarëve.

“Ndaj dhe sot më shumë se kurrë duhet të jemi në atë bulevard, në ato rrugë, në ato sheshe për të përcjellë mesazhin tonë se ne nuk pajtohemi kurrë me një organizatë hajdutësh, që u ka vjedhur shqiptarëve shuma përrallore të buxhetit, pasuri të pafundme publike, ka vendosur ligjin e mafies dhe tani do me çdo kusht t’u vjedhë të ardhmen evropiane”, tha ai para gazetarëve në konferencë.

Ai nënvizoi se pak orë i ndanin shqiptarët nga uragani i madh i shpresës dhe fitores, ndaj po dilte të jepte mesazh si qytetari-qytetarit dhe shqiptari-shqiptarit.

“Të dashur qytetare dhe qytetarë, pak orë na ndajnë nga uragani i madh i shpresës dhe fitores së opozitës dhe kombit shqiptar. Unë erdha përsëri t’u drejtoj thirrjen time si shqiptari-shqiptarit, si qytetari-qytetarit, të bashkohemi sot në bulevardet dhe rrugët e Tiranës në një nga momentet më kritike të historisë tonë. Sot në Bruksel përfaqësuesit e vendeve më të mëdha të Europës patën para tyre narko-diktatorin e parë të kontinentit, Edi Ramën”, vijoi kreu i selisë blu.

Pjesëmarrjen ai e cilësoi edhe si mesazh të qartë për partnerët ndërkombëtarë si SHBA dhe BE, teksa denoncoi qeverinë e Edi Ramës.

Fjala e plotë e Sali Berishës para protestës:

Të dashur qytetare dhe qytetarë, pak orë na ndajnë nga uragani i madh i shpresës dhe fitores së opozitës dhe kombit shqiptar. Unë erdha përsëri t’u drejtoj thirrjen time si shqiptari-shqiptarit, si qytetari-qytetarit, të bashkohemi sot në bulevardet dhe rrugët e Tiranës në një nga momentet më kritike të historisë tonë. Sot në Bruksel përfaqësuesit e vendeve më të mëdha të Europës patën para tyre narko-diktatorin e parë të kontinentit, Edi Ramën

Patën para tyre njeriun që për vjedhjet e tij dhe organizatës kriminale, është i aftë dhe i gatshëm në papërgjegjshmëri të plotë, të shkelmojë dhe interesat më jetike të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Patën para tyre njeriun, i cili i detyroi përfaqësuesit e vendeve kryesore të BE t’i nxjerrin jo kartonin e kuq, por kartonin e zi. Mundësinë e shpërbërjes së plotë të udhëtimit tonë 32-vjeçar drejt BE.

Kupa e Edi Ramës është derdhur prej kohësh.

Ndaj dhe sot më shumë se kurrë duhet të jemi në atë bulevard, në ato rrugë, në ato sheshe për të përcjellë mesazhin tonë se ne nuk pajtohemi kurrë me një organizatë hajdutësh, që u ka vjedhur shqiptarëve shuma përrallore të buxhetit, pasuri të pafundme publike, ka vendosur ligjin e mafies dhe tani do me çdo kusht t’u vjedhë të ardhmen evropiane.

Prania jonë sot është mesazhi më i shkëlqyer, është mesazhi më dinjitoz që ne u përcjellim shqiptarëve në Shqipëri dhe të katër anët e dheut, por që ne u përcjellim edhe miqve tanë të vërtetë në BE, SHBA dhe kudo që janë”.

© Panorama.al

Te lidhura