Pas prangosjes për evazion fiskal dhe pastrim parash, tre personat e arrestuar nuk kanë pranuar të kenë kryer vepër penale.“Nuk kemi bërë asnjë krim. Ne nuk kemi paguar detyrimet e shtetit, ashtu sikurse edhe shumë biznese të tjera që konsiderohen informale, por s’kemi bërë pastrim parash”. Kështu mësohet të kenë deklaruar para grupit të hetimit të arrestuarit e dy ditëve më parë, Besnik Murataj, 37 vjeç, me detyrë inspektor në Portin Durrësit, Ervis Sinanaj, 32 vjeç, ekonomist, dhe shtetasi Dulejman Qerimi, shofer. Pas arrestimit të këtyre personave si të implikuar në afera duke ngritur një shoqëri fantazmë në rrjetin e karburanteve, burime të Prokurorisë së Fierit bënë të ditur se sot atyre do t’u komunikohet masa e arrestit. Burime të Prokurorisë bënë të ditur se një muaj e gjysmë pas çeljes së shoqërisë fantazmë, personat e implikuar kanë bërë kërkesë pranë Drejtorisë së Tatimeve në Fier për të mbyllur aktivitetin. Këtu inspektorët tatimorë kanë dyshuar mbi aktivitetin e kësaj shoqërie. Ata kanë zvarritur mbylljen për pak ditë të aktivitetit, derisa kanë kontrolluar dhe verifikuar derdhjet e detyrimeve ndaj shtetit. Nga ky verifikim u konstatua se shoqëria kishte bërë vetëm regjistrim pranë QKR-së si subjekt, por më pas nuk kishte njohur asnjë detyrim financiar për periudhën rreth një muaj e gjysmë. Duke qenë subjekt i madh dhe me xhiro të konsiderueshme mujore dhe ditore, tatimorët vunë në dijeni prokurorinë. Kjo e fundit e mbajti hapur subjektin duke mos lejuar tatimet që ta mbyllnin, me qëllim që të kanalizoheshin hetimet. Ndërkohë, sipas burimeve të Prokurorisë së Fierit, shtetasit e arrestuar kanë pranuar se nuk kishin paguar detyrimet financiare, por jo që kishin shoqëri me bazë abuzive. Të njëjtat burime thanë se janë ndalur në një pikë të rëndësishme, atë të hetimit të investimit fillestar, pasi dyshohet për pastrim parash. Shoqëria mori emrin “Mobil Albania”, me numër NIPT-i L02806405S, me objekt veprimtarie private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë import- eksport, të prodhimit të mobilieve, mallrave të ndryshme industriale, mobilie zyrash, prodhim dhe tregtim materialesh ndërtimi. Por, prokuroria dyshoi se kjo shoqëri është krijuar me qëllim futjen në qarkullim dhe mbulimin e natyrës së krijimit të shumës së lekëve prej 500 mijë dollarësh. Nga hetimi rezultoi se “Mobil Albania” ka kryer blerje të naftës bruto te shoqëria “Stream Oil Gas, l.t.d” në shumën prej 310 mijë USD. Shoqëria fantazmë e tyre kishte bërë blerje të naftës bruto në periudhën maj-gusht të vitit 2010 të subjektit të mësipërm, në shifrën 33.9 mijë dollarë, e cila i korrespondon sasisë 1 476 743 litra naftë bruto. Prokuroria zbuloi se subjekti që po hetonte kishte shitur 210 181 m3 naftë me çmimin 46 lekë/kg. Ndërsa nuk kishte deklaruar shitjen e sasisë prej 1 266 562 tonësh si dhe kanë shmangur të gjitha detyrimet tatimore.
Sot, komunikimi i masës së arrestit
Tre të arrestuarit do të dalin sot para togave të zeza, ku do t’u komunikohet masa e arrestit. Burimet citojnë se masa e arrestit ishte marrë në mungesë të tyre, me qëllim që gjithçka të realizohej pa u dëmtuar hetimet.
FIER/ MAJLINDA RAMA











