Tavo, padi Bimes për shpifje: Dua 20 milionë

May 6, 2011 | 10:27

GJIROKASTER – Vangjel Tavo padit në Prokurori kryebashkiakun socialist, Flamur Bime. Shkak janë bërë deklaratat e para dy ditëve, të shpërndara për mediat lokale dhe qendrore, nga ana e stafit elektoral të kandidatit për kryetar bashkie të PS-së, Bime, ku kanë pasur në qendër të vëmendjes pikërisht Tavon. “Shpifje për shkak të detyrës” dhe “cenim të figurës morale”, janë dy paditë e depozituara dje personalisht në organin e akuzës në Gjirokastër, nga ana e Tavos. “Në asnjë moment, asnjëherë në karrierën time politike, nuk kam shpërdoruar apo përfituar në mënyrë të paligjshme tokë në bregdet, ashtu siç ka deklaruar disa ditë më parë kryebashkiaku në ikje Flamur Bime”, u shpreh Tavo. Sipas tij, kryetari aktual i Bashkisë së Gjirokastrës, në mënyrë të qëllimshme ka publikuar në media dy dokumente pronësie, që pretendon të jenë me emrin e Vangjel Tavos. “Për këtë, garantoj publikun se asnjëherë nuk do të abuzoj me detyrën, siç ka bërë Flamur Bime në gjithë kohën kur ka drejtuar Bashkinë e Gjirokastrës”. Po dje, deputeti i LSI-së kërkoi nga Prokuroria rihapjen e hetimeve për ngjarjen e 9 nëntorit 2008, ku nga rrëzimi i një pallati në Gjirokastër, humbën jetën tre persona dhe u plagosën gjashtë të tjerë, të gjithë banorë të tij. Për këtë ngjarje, Tavo, e shikon Bimen si fajtorin kryesor, për shkak të lejes së dhënë për ndërtimin e një objekti shumëkatësh në afërsi të pallatit të rrëzuar. Tavo ka kërkuar nga Bime dëmshpërblim moral prej 20 milionë lekësh.   p.n

© Panorama.al

Te lidhura