Tatimorët u bllokojnë mallin subjekteve sezonale të plazhit

May 26, 2011 | 11:13
Tatimorët gjatë aksionit të djeshëm në plazhin e Durrësit

DURRES – Tatimorët e Durrësit nisën dje një aksion në zonën e plazhit të Durrësit, me synim disiplinimin e subjekteve të licencuara. Një vendim i 5 ditëve të fundit ka bërë që subjekteve, të cilat rezultojnë të paregjistruara, t’u bllokohet aktiviteti dhe malli. 17 subjekte të biznesit të vogël, që tregtojnë me shumicë dhe pakicë aksesorë të ndryshëm për pushuesit, kanë rezultuar nga kontrollet të paregjistruara dhe u është bërë sekuestrimi i mallit. Në krye të aksionit ishte kreu i Drejtorisë së Tatimeve të Durrësit. Dhjetëra inspektorë tatimorë zbarkuan befasisht që në mëngjes në sektorin “Iliria”, në plazhin e Durrësit, me qëllim mbylljen e bizneseve të palicencuara. Aksioni i Drejtorisë Tatimore për bizneset provizore të palicencuara ka hasur në rezistencë verbale të bizneseve. Pronarët kanë provuar të rezistojnë deri në momentin e fundit. Sqarimet mes tyre dhe inspektorëve për pak sa nuk precipituan me konflikt fizik. Kreu i Tatimeve, Shkëlqim Fortuzi, u shpreh se nuk do të tërhiqen nga aksioni, por do të vijojnë në të gjithë qytetin e Durrësit. Sipas Fortuzit, shumica e këtyre subjekteve kanë aktivitet sezonal 2-3 muaj, dhe mundohen t’i shmangen licencimit. “Ne do të marrim masa për të gjithë ata që shkelin ligjin. Kemi nisur një aksion në zonën e plazhit, por në ditët në vijim aksioni do të shtrihet në të gjithë qytetin”, u shpreh ai. Sipas tregtarëve, biznesi sezonal në plazhin e Durrësit është e vetmja mundësi për të jetuar. “Kjo është absurde, që të vijnë e të na marrin mallin në dyqan. Ne me këtë punë mbajmë fëmijët. Presim dhjetë muaj të vitit për të punuar dy muajt e sezonit të plazhit, ndërsa këta s’na lënë të marrim frymë”, u shpreh Diturie Hoxha, pronare e një dyqani.                               l.m

Nje mije aktivitete vetem ne stinen e veres

Rreth një mijë është numri i aktiviteteve sezonale të hapura rishtas në zonën bregdetare të Durrësit, të cilat për gjatë muajit maj do të jenë objekt i kontrollit të tatimorëve të Durrësit. Ndërkaq, ky numër, në periudhën e verës rritet 4-fish, pasi qindra tregtarë ambulantë, të cilët dalin me tezga nëpër trotuaret e plazhit, ushtrojnë aktivitetin në Durrës. Aksioni i ndërmarrë nga tatimorët do ta rrirë akoma edhe më shumë numrin e të papunëve në qytetin e Durrësit.

© Panorama.al

Te lidhura