Tarifat doganore ndaj vendeve të BE-së për çështjen e Groenlandës, Trump i prerë: Do i bëj 100% nëse nuk arrihet një marrëveshje

Jan 20, 2026 | 7:06

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rikonfirmuar synimin e tij për të vendosur “100%” tarifa doganore ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë kërkesat e tij për marrjen nën kontroll të Groenlandës, duke shkaktuar reagime të forta nga qeveritë evropiane dhe Bashkimi Evropian, të cilët theksojnë se sovraniteti i ishullit nuk është objekt negociatash.

trump

Në një intervistë për NBC News, Trump deklaroi se nga 1 shkurti do të vendosë tarifa 10% për “të gjitha produktet” që importohen në Shtetet e Bashkuara nga Britania e Madhe, të cilat do të rriten në 25% nga 1 qershori, nëse nuk arrihet një marrëveshje për blerjen e Groenlandës nga Danimarka.

Ai paralajmëroi se i njëjti regjim tarifor do të zbatohet edhe për Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Finlandën, të gjitha vende anëtare të NATO-s.

I pyetur nëse do t’i zbatojë realisht këto kërcënime, Trump u përgjigj shkurt: “Do ta bëj, 100%”.

Presidenti amerikan nuk pranoi të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për marrjen e Groenlandës, duke iu përgjigjur me “no comment” një pyetjeje përkatëse.

Njëkohësisht, ai deklaroi se “Evropa duhet të përqendrohet te lufta Rusi–Ukrainë” dhe jo te çështja e Groenlandës.

Danimarka ka paralajmëruar se çdo veprim i mundshëm ushtarak i SHBA-së në Groenlandë do të nënkuptonte fundin e NATO-s. Ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Løkke Rasmussen, theksoi se Evropa duhet t’i bëjë të qartë Trumpit se kërcënimet me tarifa “nuk janë rruga e duhur”.

“Ka vija të kuqe që nuk mund të kapërcehen. Nuk mund të kërcënosh për të marrë pronësinë e Groenlandës”, deklaroi ai, duke nënvizuar se Danimarka nuk ka ndërmend të përshkallëzojë më tej tensionet.

Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, përsëriti se e ardhmja e Groenlandës është çështje “ekskluzivisht e groenlandezëve dhe e danezëve”.

Bashkimi Evropian po thërret një samit urgjent në Bruksel të enjten, me qëllim shqyrtimin e përgjigjes ndaj kërcënimeve të fundit të Trumpit. Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, deklaroi se BE-ja “nuk dëshiron konflikt, por do të mbrojë qëndrimin e saj”, duke shtuar se “kërcënimet tregtare nuk janë mënyrë negocimi” dhe se “sovraniteti nuk është mall tregu”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca do të vazhdojë bashkëpunimin me Danimarkën dhe Groenlandën për sigurinë në Arktik, në vazhdën e dërgimit të forcave të vogla ushtarake evropiane në ishull, një veprim i cilësuar si simbolik.

Ndërkohë, janë bërë publike shkëmbime mesazhesh mes Trumpit dhe kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, ku presidenti amerikan akuzon Norvegjinë se është përgjegjëse për faktin që ai nuk ka marrë Çmimin Nobel për Paqen. Støre iu përgjigj se çmimi jepet nga një komitet i pavarur dhe rikonfirmoi mbështetjen e Norvegjisë për sovranitetin danez mbi Groenlandën.

Megjithatë, Trump këmbënguli se Norvegjia “e kontrollon plotësisht” Çmimin Nobel, pavarësisht mohimeve zyrtare.

Në fund, NORAD njoftoi se disa avionë janë duke u drejtuar drejt bazës Pituffik në Groenlandë në kuadër të “aktiviteteve të planifikuara”, duke sqaruar se operacioni është i koordinuar me Danimarkën dhe se qeveria e Groenlandës është informuar. Operacione të ngjashme janë zhvilluar edhe në vitet e mëparshme.

© Panorama.al

Te lidhura