Strategjia, adresë elektronike për informacion mbi makinat e vjedhura.
Policia e mbikëqyr procesin që në momentin e aplikimit.
Procedura e pajisjes me targa e makinave që futen në Shqipëri nga jashtë shtetit pritet të ndryshojë brenda pak muajsh. Do të jetë Policia e Shtetit e cila do të marrë një rol më të rëndësishëm në këtë proces. Rritja e rolit të Policisë në targimin e automjeteve parashikohet në Planin Kombëtar të Veprimit për vitet 2012-2014. Ky plan është i detajuar në strategjinë “Për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të mjeteve motorike të vjedhura, të kontrabanduara dhe me shkelje të tjera ligjore”. Strategjia në fjalë është miratuar më datë 9 maj 2012, ndërsa është botuar edhe në Fletoren Zyrtare e tashmë pritet të hyjë në fuqi. Dokumenti përmban një varg detyrimesh për institucionet, përfshi Policinë, Interpolin, Doganat dhe sportelet e pikave ku bëhet targimi i automjeteve. Sipas instruksioneve që përmban strategjia, Policia e Shtetit duhet të marrë një rol më të madh dhe të jetë prezente në momentin që bëhet targimi i një automjeti. Si rregull, një makinë që hyn nga jashtë nuk mund të qëndrojë në Shqipëri me targa të huaja më shumë se 15 ditë. Në përfundim të këtij afati, mjeti ose duhet të marrë autorizim, ose duhet të pajiset me targa të Shqipërisë.
Procedurat
Procedura e targimit të automjetit deri tani ka qenë e pavarur nga Policia. Targimi bëhej në sportelet e Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor duke paraqitur: aktin e shitblerjes së mjetit, faturën e pagesës së kalimit në doganë dhe çdo dokument tjetër shoqërues të makinës. Në momentin e pajisjes me targa bëhej një verifikim rutinë dhe sipas procedurave të reja, kërkuesi mund t’i merrte targat në dorëzim edhe brenda ditës. Policia nuk kishte rol në këtë mes, ndonëse shërbimet e Qarkullimit Rrugor dhe zyra e Interpolit kanë akses në sistemin ndërkombëtar të të dhënave që mundëson verifikimin e plotë të çdo automjeti. Duke pasur të dhënat për numrin e shasisë së mjetit, Policia shqiptare në kohë reale mundet që të verifikojë nëse jashtë Shqipërisë ka pasur apo ka ndonjë denoncim për vjedhjen e automjetit që shkon të targohet. Sipas strategjisë së parandalimit të trafikut të mjeteve, prania e policisë në momentin e targimit të makinave mund të bëhet me anë të pranisë së një punonjësi të Policisë në sportelin e aplikimit për targa si dhe me anë të lidhjes dhe transmetimit të të dhënave nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor me atë të Policisë Rrugore. Qëllimi i këtyre procedurave të reja është parandalimi që në fillim i procedurave të targimit të automjeteve që janë të vjedhura jashtë vendit. Futja e policisë në këtë proces mund të shkaktojë rritjen e kohëzgjatjes së procesit nga një në dy ditë.
E-mail për makinat e vjedhura
Strategjia kombëtare për parandalimin e trafikimit të mjeteve motorike parashikon që Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme do të hapin një adresë e-mail-i: [email protected]. Sipas strategjisë, çdo institucion shtetëror që ka informacion për makina të vjedhura nga jashtë vendit duhet të dërgojë të dhënat në këtë adresë në mënyrë që informacioni të merret nga policia, e cila vihet në gjurmim dhe në ndjekje të mjetit të vjedhur.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











