
Projekti i gazsjellësit “Trans Adriatik” (TAP), është diskutuar dje gjatë një takimi që Kryeministri Sali Berisha pati me një delegacion të kompanisë “British Petrolium”. Ky delegacion kryesohej nga zëvendëspresidenti i BP për Zhvillimin dhe Shfrytëzimin e Fushës së Shah Denizit në Azerbajxhan, Al Cook dhe ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Rahman Mustafayev. Në takimin e djeshëm, kreu i qeverisë, Berisha, garantoi për një bashkëpunim të mirë mes vendeve të përfshira në projektin “TAP”, duke argumentuar se kjo është në përfitim të të gjithëve. Duke sjellë në vëmendje krijimin e grupit ndërministror që funksionon pranë METE-s, ai garantoi se Shqipëria është duke punuar me fqinjët, Greqi e Itali, për të finalizuar kuadrin e nevojshëm ligjor që i hap rrugë këtij projekti. Në fjalën e tij, përfaqësuesi i BP-së, Al Cook, u shpreh se Shqipëria ka treguar interesin e saj për projektin “TAP” dhe këtë e reflektojnë vizitat në Azerbajxhan dhe Itali me synim këtë projekt. Sipas tij, për konsorciumin e Shah Denizit është e rëndësishme që projekti “TAP” të sigurojë sa më shpejt që të jetë e mundur marrëveshjet pritëse qeveritare të miratuara veçmas nga Shqipëria dhe Greqia, sikurse edhe Marrëveshjen Ndërqeveritare mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë. Përfaqësuesit e delegacionit të BP-së janë pritur dje edhe nga ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, ku sërish në fokus është vendosur projekti “TAP”. Palët kanë vlerësuar rolin aktiv që ka pasur Shqipëria në këtë projekt, i cili konsiderohet i një rëndësie të veçantë për përfitimet që bart.











