Gjithmonë e më shumë po vërtetoj një tezë, e cila sa vjen e rehatohet në psiko-logjinë tonë të rëndë ballkanase: gruaja mënjanë. Kjo sikur bie pak ndesh me sloganet që zbresin serbes nga megalomania e politikanëve dhe e politikaneve, se gruaja është fuqi e jashtëzakonshme sociale, pa të cilën shoqëria dështon. Si gjithmonë, nga e thëna në të bërë ka një oqean, i cili i zgjeron si të dojë brigjet e tij. Talljen e shoqërisë (e të gjithë shoqërisë, duke përfshirë edhe pjesën femërore të saj) ndaj femrës në Shqipërinë tonë, me pak vëmendje e vëzhgojmë dhe ndiejmë shumë shpesh: në mënyrën se si gratë thirren të rreshtohen ose vetërreshtohen në politikën e burrave edhe atëherë kur mendojnë ndryshe, në mënyrën se si ato nuk dinë të gjejnë pozicionet e drejtimit dhe të menaxhimit dhe e humbasin forcën e duhur për t’u imponuar, në mënyrën se si lodhen, se si mërziten dhe se si ndjehen të tallura… Mendimi im për këtë lloj roli të dobët të gruas në shoqëri është se ajo vetë nuk e ka kuptuar ende se ç’mund të bëjë, sa e zonja është dhe sa pak vullnet dhe durim ka të arrijë atje ku kërkon të arrijë: në marrëdhëniet e barabarta me të tjerët dhe në shpalljen e vlerave të saj të rralla. Ne mund të flasim me ditë të tëra teorikisht se ç’duhet të bëjë gruaja, por nuk duhet të humbim rastin konkret për të ndryshuar gjërat nëpërmjet sfidave, sidomos kur ky rast konkret nuk mund të harrohet.
Pak kohë më parë, një ngjarje e rëndë dhe sidomos e shëmtuar ndodhi në një nga institucionet e Bashkisë së Tiranës, ku dy gra, Anila Çobani dhe Etleva Duro, u rrahën nga punonjës të Policisë Bashkiake. Rasti vërtet është tronditës. Nuk e di se si mund të shprehet ndryshe një veprim i tillë ekstrem. (Personalisht nuk do të desha që të shkruaja fjalën “rrahje” në një shkrim). Pasi kalojnë disa ditë, tronditja fillon e merr formë tjetër, bëhet më e kobshme. Sheh se asgjë nuk po ndodh pas asaj që ndodhi, asgjë nuk ka një përgjigje ose përgjigjet janë (sipas stilit tonë të njohur) vetëm shfajësuese. Si p.sh., “s’ishte faji i policëve”, “ato gratë e meritonin”, “njëra nga ato është militante”, “ato ishin aq të egra sa duhej një përgjigje e tillë”…. E, çuditërisht ndodh që pothuajse të gjitha këto shpjegime të pranohen menjëherë nga njerëzit, pra, shoqëria e pranon dhunën, madje i duket normale.
Pranimi i dhunës kaq lehtësisht është një ngecje në atë ecje që kemi bërë gjithë këto vjet. Duket sikur të gjithë vuajmë thellësisht nga kultura “se druri duhet dhe është mjet i mirë edukimi”, apo “se gruaja e do nga një shpullë”.
Kultura e dhunës nuk bën dot dallim “mashkull” apo “femër”. Dhuna është mjeti ynë i edukimit. Kjo ndodh çdo çast nëpër familjet shqiptare, por ajo që e rëndon fenomenin e dhunës se kësaj radhe është mënyra pasive e përgjigjes që vjen nga shteti dhe shoqëria. Dhuna brenda familjes është një shqetësim për individin dhe për shoqërinë, por dhuna në mjediset e institucioneve të shtetit shndërrohet në një terror publik me përmasa të mëdha dhe jehonë të gabuar. Pas shumë e shumë vitesh, pasi kemi harxhuar frymë dhe letër dhe energji pa fund për të folur kundër dhunës, befas, në vitin 2011, ndeshemi më një rast dhune publike dhe mediatike të shumëfishtë: kundër punonjësve dhe grave. Një rast i pastër diskriminimi.
Mund të diskutojmë edhe një tjetër hamendje, që rasti i ndodhur ka qenë thjesht një moment nxehjeje, apo reagimi i policëve kundrejt një revolte të punonjëseve. E megjithatë, edhe i tillë qoftë, nuk ka asnjë justifikim për dhunën që ndodhi. Çdo punonjës shteti apo institucioni tjetër duhet të kuptojë se detyra e tij nuk është reflektimi i kulturës dhe i dëshirës së tij personale. Dhe kjo është një nga të metat e shqiptarëve që nuk janë në gjendje të ndajnë dëshirat dhe mentalitetin e tyre personal nga detyrimet që kanë si punonjës shteti.
Aktualisht ka një reagim të fortë, i cili ka disa ditë që qarkullon: një grup grash të shoqërisë civile po kërkojnë në mënyrë më konkrete të kenë një përgjigje nga pushteti lokal dhe sidomos nga Prokuroria. Ato bënë edhe një takim me Ina Ramën dhe dolën prej andej me besimin se buzëqeshja e prokurores së Përgjithshme do të zgjidhë punën e dhunës ndaj gruas. Kam pak besim se znj. Rama do të ketë sukses në një çështje kaq të rëndësishme gjinore, sepse ndërkohë ka një radhë viktimash gra, për të cilat prej vitesh nuk është dhënë asnjë informacion dhe asnjë rezultat…
Ne, gratë, dhe sidomos ne që pretendojmë të ndryshojmë dhe të sfidojmë një shoqëri shumë problematike, kemi disa problem të “vështira” grash: së pari, entuziazmohemi shpejt, një fjalë e mirë na bën të fluturojmë; së dyti: harrojmë shpejt pasi përfitojmë diçka pozitive, qoftë edhe një vështrim të butë, mendojmë se gjërat do të zgjidhen pozitivisht dhe shpejt. Por, pavarësisht nga ky pesimizëm i gjatë që unë kam personalisht, mendoj se rasti në fjalë ka nxitur fillimin e një debati shumë produktiv që nuk kërkon vetëm zgjidhjen e rastit, por thellohet edhe më shumë në thelbin e disa nevojave ligjore. E dimë tashmë të gjithë se kjo është edhe mënyra më e lehtë për të brohoritur se po bëhet edhe një tjetër hap për të drejtat e grave, por edhe nëse implementimi i këtyre ligjeve të mira do të jetë larg, të paktën të mos pushojmë së menduari dhe punuari në këtë drejtim.
© Panorama.al












