Taksat, Rama: Të gjithë do paguajnë sa u takon

Nov 13, 2011 | 14:17
Nga profili i Ramës në Twitter

TIRANE- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama iu përgjigj deklaratave të kryeministrit Sali Berisha për taksat me një postim në profilin e tij në Twitter. Duke iu referuar taksës progresive, përfshirë në programin e ri të Partisë Socialiste, Rama shpjegon se “të gjithë do paguajnë sa u takon.”

“Për cilët të pasur e ke fjalën Sali, për 99% të tyre që po i mbyt apo për 1% që po i majm? Të gjithë do paguajnë sa u takon. 95% e shqiptarëve do paguajnë më pak, ndërsa biznesmenët do shpëtojnë nga kthetrat e bizneseve të pushtetit.”- shkruan Rama në Twitter.

Më herët kryeministri Sali Berisha, nga Petrela ku mori pjesë në Panairin e Agro- Biznes- Turizmit, tha se rritja e taksave nëpërmjet skemës që propozon opozita, thellon më shumë varfërinë dhe mjerimin.

“Nëse ti rrit taksat, qindra- mijëra vende pune do të shkurtohen. Kështu vetëm e thellon varfërinë dhe mjerimin e vendit tënd. Kjo kohë ka përfunduar”- iu drejtua kryeministri Ramës.

© Panorama.al

Te lidhura