Taksat e makinave, shoferët bllokim pikës së kolaudimit

Jan 24, 2012 | 12:13

SHKODER/ “Duan të paguajmë dy herë”. Ligji, pagesat në një ditë

Bllokohet pika e kontrollit teknik të automjeteve në Shkodër. Me anë të një kamioni, drejtuesit e makinave kanë pezulluar çdo veprim, për shkak të problemit të pagesës së taksave dy herë brenda pak ditësh. Sipas drejtuesve të mjeteve, shkak për këtë është bërë ndryshimi i ligjit nga ana e qeverisë në korrik të vitit të kaluar, ku theksohej se duhet të bashkoheshin datat e pagesës së taksave të qarkullimit me datën e kontrollit teknik të mjeteve. Ky ndryshim ligji ka bërë që një numër i konsiderueshëm drejtuesish të mjeteve, edhe pse i kanë shlyer taksat vjetore vetëm një muaj më parë, sapo janë paraqitur pranë sporteleve të kontrollit teknik të mjeteve, punonjësit u kanë kërkuar që të shlyejnë sërish taksat e këtij viti. Ky veprim ka bërë që pronarët e makinave të mos e pranojnë një logjikë të tillë dhe të bllokojnë portën e ambienteve të Drejtorisë së Kontrollit Teknik të Mjeteve, duke mos lënë asnjë mjet që të kryejë veprimet. Ata kërkojnë zgjidhjen e ngërçit të krijuar për shkak të ligjit. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e firmës “SGS” u kanë pohuar drejtuesve të mjeteve se në bazë të një ligji të miratuar nga qeveria, në korrik të vitit të kaluar asnjë mjet nuk ka të drejtë të kryejë kontrollin teknik të mjeteve pa shlyer më parë taksat vjetore. Ky ligj është i detyrueshëm që të zbatohet nga ana e tyre. Ndërkohë që në sinkron me punonjësit e kompanisë “SGS” ka qenë edhe shefi i financës i Drejtorisë Rajonale të Transportit, Fran Paja, i cili ka përmendur të njëjtin ligj. Për shkak të këtij ligji, një numër i konsiderueshëm automjetesh (nga 500 – 1000), të cilët edhe pse i kanë paguar taksat vjetore të vitit të kaluar dhe nuk kanë paguar taksën e kolaudimit, deri më 31 dhjetor 2011, janë të detyruar të paguajnë sërish taksat. “Por kjo taksë, – ka sqaruar Paja, – është e barasvlershme vetëm për vitin 2012. Pra, në rastin konkret, ata drejtues që i kishin paguar taksat në dhjetor të vitit të kaluar, të cilat janë të vlefshme për një vit dhe që taksën e radhës e kanë të parashikuar ta paguajnë sërish në dhjetor të këtij viti, tashmë atyre që u bie radha ta paguajnë këtë taksë tani në janar, nuk kanë të drejtë të paguajnë më për këtë vit. Drejtuesve nuk po u merret dy herë e njëjta taksë, por ata po paguajnë taksën e këtij viti, e cila është e vlefshme deri në janarin e vitit të ardhshëm”, pohoi Paja. Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve nuk kanë mbetur të kënaqur nga këto sqarime, dhe kërkojnë me ngulm ndryshimin e ligjit.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura