Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se takimi i tij me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington rreth një javë më parë ka sjellë përparim të rëndësishëm për blerjen e sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore.
Në komentet e tij për mediat, Zelensky e cilësoi takimin si “pozitiv”, duke kundërshtuar raportet që sugjeronin një përballje të tensionuar me Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Ai tha se një nga rezultatet më konkrete ishte avancimi drejt një kontrate për të siguruar 25 sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, që do të forcojnë ndjeshëm mbrojtjen e Ukrainës ndaj sulmeve raketore ruse.
“Pas disa orësh diskutime me z. Trump dhe ekipin e tij, mesazhi ishte i qartë: jemi aty ku jemi, në vijën e parë. Dhe kjo është një bazë për të ecur përpara”, u shpreh Zelensky.
Sipas tij, tema e mbrojtjes ajrore zuri pjesën më të madhe të diskutimeve. Megjithatë, ai pranoi se nuk arriti të siguronte raketat Tomahawk, të cilat do t’i shërbenin Ukrainës për sulme me rreze të gjatë brenda territorit rus.
Ndërkohë, burime nga brenda takimit tregojnë një atmosferë më të ftohtë dhe të tensionuar mes dy liderëve. Tre burime të ndryshme raportuan se Trump përdori gjuhë të ashpër dhe i kërkoi Zelenskyt të pranonte një marrëveshje me Rusinë.
“Shkoi mjaft keq”, tha një nga burimet. “Mesazhi ishte: ‘Vendi juaj do të ngrijë dhe do të shkatërrohet’ nëse nuk pranoni një marrëveshje.”
Kjo vjen ndërsa Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin pritet të takohen së shpejti në Budapest, një vend anëtar i NATO-s dhe BE-së, por i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Moskën.
Zelensky komentoi edhe mbi këtë takim të pritshëm, duke vënë në dyshim zgjedhjen e Hungarisë si vend pritës:
“Po flasim për paqen në Ukrainë, jo për zgjedhjet në Hungari,” tha ai, por shtoi se do të ishte i gatshëm të merrte pjesë në bisedime nëse do të ftohej.
© Panorama.al












