Pjesëmarrja ditën e nesërme në protestën e paralajmëruar para Parlamentit është një simbolikë e veçantë, për t’u treguar deputetëve se ata nuk e përfaqësojnë popullin.
Kështu u shpreh mes të tjerash sot në studion e “News24” Silvana Xhaferri (Hoxha), aktiviste dhe anëtare e Dhomës Britanike të Tregtisë, teksa u bëri thirrje ligjvënësve të P dhe PD që të distancoheshin dhe të bënin ndryshimin, duke iu bashkuar zërit të qytetarëve.
“Besoj që po, do jem pjesë, në përgjithësi kam qenë aty. Ka protesta dhe protesta. Protesta e mëngjesit zakonisht i përket rinisë, por ata duan të na shohin edhe brezin tonë. Pjesëmarrja nesër para Parlamentit është më shumë për t’i treguar deputetëve të Parlamentit se ata nuk e përfaqësojnë votën e popullit shqiptar. Nuk i futemi fare mënyrës se si e kanë marrë mandatin. Edhe në këtë moment ata kanë mundësi të bëjnë ndryshim, të heqin dorë nga përfaqësia si të PS apo PD, e për këtë arsye. Jo vetëm si zonja Marjana Koçeku, por edhe për mënyra të tjera, ke shumë deputetë që kanë vite në politikë dhe që mund ta quajnë veten fajtorë, se nuk e kanë ngritur zërin mjaftueshëm për të bërë ndryshim. E bëri dhe Spiropali, por koha do ta tregojë. Pjesëmarrja nesër në protestë është më shumë simbolike”, u shpreh aktivistja e pyetur nëse do ishte pjesë e kësaj proteste.
Duke iu referuar lëvizjes, ajo shprehu mbështetjen dhe deklaroi se ishte një nismë e vetë rinisë, e cila organizohet vetë, si dikur 36 vite më parë. Hoxha dha edhe disa arsye të revoltës ë qytetarëve dhe rinisë.
“Rinia shqiptare ndihet e zhgënjyer me realitetin ku ndodhet. Rinia shqiptare është pjesë e bukur e protestës, kanë marrë iniciativa që janë të bukura. Rinia po sjell ide të reja dhe po organizohet vetë. Rinia po mbështetet edhe nga familjarët apo prindërit e tyre, që i sheh në sheshin e protestës”, vijoi ajo.
Duke iu referuar gjendjes ekonomike të vendit dhe arsyes së braktisjes së Shqipërisë nga të rinjtë, e pasqyruar kjo edhe në nivel ekonomik, si ekspertë e fushës ajo deklaroi se njerëzit detyrohen të largohen dhe më tej të sjellin para për familjarët e tyre nëpërmjet remitancave.
Por kjo nuk ishte mënyra e duhur se si qeveria i zgjidhte problemet social-ekonomike
“Remitancat e shqiptarëve që sjellin nga jashtë janë të rëndësishme për mirëqenien e Shqipërisë. Ata sjellin para për prindërit e tyre që të paguajnë mjekimet, ushqimet dhe që të mbijetojnë. A është mekanizmi i duhur? Kjo duhet diskutuar. Largimi i njerëzve do të thotë më pak biznes, më pak fuqi blerëse. Qeveria apo qeveritë nuk kanë qenë në gjendje që të ketë një mekanizëm për t’u kthyer në një gjendje fitimprurëse për vendin”, deklaroi aktivistja.
Në fund Hoxha vuri në dukje se protesta ka përbërje heterogjene, ku ka qytetarë nga të gjitha moshat, profesionet, kategoritë dhe fetë.
“Në sheshin e protestës ke grupi të ndryshme, të të gjithë krahëve, të të gjitha feve. Kemi një vend që ka mundësitë, por nuk i menaxhon ashtu si duhet”, tha ajo.
Hoxha falënderoi edhe televizionin News24 për transmetimin e plotë të protestës qytetare:
“Është e nevojshme që zëri i protestuesve të dëgjohet dhe News24 e ka bërë këtë çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë”.
© Panorama.al












