BRUKSEL- Takimi i rradhës mes delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë i parashikuar për tu mbajtur ditën e sotme, ka dështuar.
Radio Evropa e Lirë raporton se dy përfaqësitë, ajo kosovare dhe serbe janë takuar veçmas me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian, Robert Kuper.
Në qendër të bisedimeve të tyre nuk kanë qenë temat e paracaktuara, por situata e 24 orëve të fundit në veri të Kosovës.
Temat e parashikuara për diskutim sot, në dialogun teknik ndërmjet dy vendeve, janë shtyrë për nesër, kanë thënë zyrtarë të BE-së në Bruksel.
Tahiri në Bruksel, sot raundi i 7 i bisedimeve
Kryesuesja e dialogut teknik të Kosovës, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, udhëtoi për Bruksel për të marrë pjesë në raundin e shtatë të dialogut teknik midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që do të mbahet më 27 dhe 28 shtator 2011.
Në këtë raund do të bisedohet për katër çështje: telekomunikacioni, energjia, bashkëpunimi rajonal, si dhe ngecjet e implementimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë dialog.
Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të përgatitjeve për këtë takim ka shprehur shqetësimet zyrtare për ngecjet e të gjitha marrëveshjeve e veçanërisht për shkeljen e marrëveshjes për tregtinë e lirë nga ana e Serbisë, që ndërkohë Qeveria e Kosovës po e zbaton këtë marrëveshje që nga 16 shtatori.
Qeveria e Kosovës është shprehur se mbetet e përkushtuar për dialogun, por konsideron se zbatimi i marrëveshjeve është çelës për suksesin e dialogut.
© Panorama.al











