Tagani: Një sponsor të ri për Tiranën

Jan 16, 2012 | 13:40

Tirana ne nje nga ndeshjet e saj

“Brenda muajit do mbushim arkën, ekipi nuk do vuajë më”

Drejtuesit e klubit bardheblu dje, në orën 13:00, kanë mbajtur një konferencë shtypi në ambientet e Bashkisë së Tiranës. Administratori Salih Tagani, drejtori sportiv Alban Tafaj dhe trajneri Hulian Rubio kanë folur me nota pozitive për të ardhmen e skuadrës.
Me zgjidhjen e ngërçit financiar dhe rrjedhimisht me ruajtjen e grupit të lojtarëve, atmosfera te bardheblutë ka ndryshuar për mirë. Gjatë fjalës së tij, administratori Tagani ka prekur më së shumti çështjet e menaxhimit dhe marketingut të klubit. Ai ka folur me superlativa, madje është më se i bindur se shumë shpejt arka e klubit do të pasurohet ndjeshëm. Ndër të tjera, ai ka folur edhe për mënyrën se si u gjet zgjidhja që evitoi eksodin e lojtarëve, ndonëse saktësoi se ajo është provizore. Megjithatë, në planet e afërta të klubit ka një projekt të qartë për të gjetur zgjidhje përfundimtare. Administratori bën me dije se brenda muajit do të mundohen që të afrojnë një sponsor kryesor, i cili do t’i japë garanci ekonomike skuadrës. “Për momentin gjetëm dy-tre sponsorë, të cilët na ndihmuan të kalojmë ngërçin e krijuar financiar. Mirëpo nuk do të ndalemi me kaq, pasi po punojmë që gjatë këtij muaji të gjejmë një sponsor kryesor. Dhe në rast se kjo arrihet, atëherë ai sponsor do të derdhë në arkën tonë parà të mjaftueshme për të përballuar sezonin deri në fund”, – u shpreh Tagani, duke treguar projektin më të afërt që ka në plan Bashkia e qytetit, e cila është edhe pronarja e vetme e ekipit të Tiranës. Sipas Taganit, kjo do të jetë një zgjidhje deri në përfundim të sezonit futbollistik, pasi në planet e tyre synohet tjetër gjë. Sipas administratorit, klubi bardheblu ka potencialin e nevojshëm që të mbajë vetveten. Megjithatë, që të arrihet deri në këtë pikë, pritet që gjatë muajve të verës të ketë një riformatim të plotë të strukturave të klubit. “Gjatë verës kemi të tjera ide në kokë, ta riformatojmë klubin. Nëse ngremë strukturat e duhura, Tirana ka mundësi të gjenerojë vetë parà, pasi vlera e klubit tonë është mjaft e madhe dhe shumë e shitshme në treg”, – tha në përfundim të fjalës së tij Salih Tagani.

Projektohet një miqësore
Hulian Rubio ka përcaktuar një axhendë të qartë për minifazën përgatitore, që po zhvillohet në kryeqytet. Dy ditë në fushën “Skënder Halili” dhe një herë nga Kodrat e Liqenit, ky është alternimi që po i bën skuadrës së tij spanjolli. Java e parë e përgatitjeve u mbyll pa u zhvilluar asnjë miqësore, mirëpo nga sa mësohet trajneri ka në plan që këtë javë të realizojë një. Emri i rivalit ende nuk dihet.

Rubio
Hulian Rubio, trajneri i Tiranës, ka komentuar situatën që ka kaluar skuadra e tij. Ai foli edhe për objektivat. Spanjolli fillimisht kërkon që ekipi i tij të fitojë në Durrës kundër një rivali direkt si Teuta. “Nuk di të them nëse do dalim kampionë, përpos dëshirës që mund të kem, sepse për momentin nuk jemi të parët në renditje, por sigurisht do të japim maksimumin që të bëjmë gjithçka në këtë drejtim. Ndeshja e parë e sezonit në kampionat është mjaft e vështirë dhe unë dëshiroj shumë që të fitojmë në Durrës”, tha Rubio.

Deklarata: Akademia, Tafaj “shkrin” 14 skuadra
Te Tirana i kthehen akademisë, por në një mënyrë krejt origjinale: nëse në shumë klube të tjera ideja shkon në drejtim të shtimit të skuadrave, te bardheblutë pakësohen. Kështu, nga 24 skuadra, pritet që te ky klub të mos jenë më shumë se 10 të tilla. Kjo u konfirmua nga shefi i klubit gjatë konferencës së djeshme për shtyp. “Unë po merrem personalisht me çështjen e akademisë. Kemi reduktuar numrin e skuadrave për të rinj dhe tashmë numri është 10, nga 24. Në këtë moment që po flasim, kemi dy ekipe të rinjsh profesionistë dhe 8 ekipe amatore. Po punojmë  dhe shumë shpejt pagesat e trajnerëve do të bëhen nga klubi me kuotë fikse dhe jo më nga prindërit. Njëherazi jemi duke punuar për skuadrën e parë. Skuadra e gjitha do të qëndrojë deri në fund të sezonit e më pas do të ulemi për të folur për kontratat e reja”, ka thënë fillimisht Tafaji. Më tej, ai ka konfirmuar bisedimet me sulmuesin serb Bogunoviç, duke pohuar se ka marrë edhe miratimin e trajnerit.

© Panorama.al

Te lidhura