Tafaj: Gjuhë e huaj që në klasë të parë

Sep 27, 2011 | 11:07

Gjuhë të huaj që në klasë të parë. Madje, programe të veçanta do të ofrohen për fëmijët që në kopësht. Ministria e Arsimit po punon për të zbatuar sa më shpejt në praktikë projektin e saj të ri për shkollat 9-vjeçare. Gjithçka e konfirmoi ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, dje gjatë një takimi me nxënësit e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë, i zhvilluar në kuadër të Ditës Europiane të Gjuhëve. Gjatë takimi u vu theksi te nevoja për shtimin e numrit të qendrave për studimin e gjuhëve të huaja, ndërsa nuk ka kapacitete për të përballuar të gjitha kërkesat e nxënësve, apo të rriturve për të mësuar një gjuhë të huaj. “Është shumë e rëndësishme të krijohen qendra të gjuhëve të huaja ku të ofrohen shumë gjuhë përmes kurseve, jashtë programit mësimor. Këto qendra mund të ofrojnë si shërbim dhe kushte për të rritur, por që janë të interesuar të mësojnë gjuhë të huaja. Zotërimi i disa gjuhëve është parësor, jo vetëm për të rritur shanset për punësim për tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të punës, por, ajo që është më e rëndësishme, për t’u ndjerë i barabartë dhe i integruar në një shoqëri demokratike”, tha Tafaj.

© Panorama.al

Te lidhura