Tadic, me lejen e qeverisë. Kuçi: Jo fjalë politike

Jan 5, 2012 | 11:48

Vizita e presidentit të Serbisë, Boris Tadic do të bëhet me lejen e Qeverisë së Kosovës. Për këtë vizitë, ekzekutivi kosovar thotë se ka pasur kërkesë për lejimin e tij që gjatë krishtlindjeve ortodokse, ai të qëndrojë në Pejë e Deçan.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se vizita e tij ka marrë pëlqimin e ekzekutivit, pasi sipas tij, vizita ka karakter fetar.

“Tadici ka kërkuar leje nga zyra e BE-së në Beograd, ajo leje është dërguar në zyrën e BE-së në Prishtinë, e më pas zyra e ka dërguar në Qeveri. Qeveria i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, pasi është interesuar dhe se vizita ka të bëjë me karakter fetar”, ka thënë Kuçi të enjten, pas mbledhjes së Qeverisë, raporton Indeksonline.

Megjithëse e konsiderojnë si vizitë të karakterit fetar, përvoja e sjelljes së zyrtarëve serbë në Kosovë, ka treguar se ata i përdorin për deklarata politike.

“Kemi marrë garanci ndërkombëtare se Tadici nuk do ta përdorë vizitën për çështje politike”, ka thënë Kuçi, megjithëse nuk e përjashton një mundësi që Tadici prapë të jep deklarata politike.

Në delegacionin e Tadicit do të jetë edhe Goran Bogdanovic, po ashtu me leje të Qeverisë.

© Panorama.al

Te lidhura