Sytë e Donald Trump mbeten te Groenlanda, Ambasadori i ri i SHBA-së në Danimarkë: Duam një të ardhme të begatë për njerëzit që e quajnë Arktikun shtëpi

Dec 8, 2025 | 15:24

SHBA premton mbështetje të shtuar për Groenlandën, në prag të vizitës së parë të ambasadorit të ri amerikan në Danimarkë, duke ardhur në sfondin e interesit të presidentit Donald Trump për marrjen e kontrollit të territorit gjysmë-autonom.

greenland_

Marrëdhëniet mes Danimarkës dhe SHBA-ve, dikur aleate të afërta, janë tensionuar që kur Trump riktheu idenë e marrjes së Groenlandës nga Danimarka.

“Gjatë viteve, sidomos pesëvjeçarit të fundit, kemi arritur shumë. Mund të bëjmë edhe më shumë. Duam të mbështesim një të ardhme të fortë, të sigurt dhe të begatë për njerëzit që e quajnë Arktikun shtëpi”, deklaroi ambasadori i ri dhe bashkëthemeluesi i PayPal, Kenneth Howery, gjatë një takimi në Nuuk me ministren e Jashtme të Groenlandës, Vivian Motzfeldt, sipas gazetës lokale Sermitsiaq.

Motzfeldt theksoi se deklaratat e SHBA-ve për Groenlandën kanë krijuar pasiguri tek banorët dhe kërkoi dialog të hapur me Uashingtonin, duke kujtuar se dy vendet bashkëpunojnë prej 80 vitesh mbi bazën e interesave të përbashkëta. “Është e nevojshme të rikthehet besimi në mënyrë që të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë”, shtoi ajo.

Howery pritet të marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit të Përbashkët dhe Komisionit të Përhershëm, që mbahen me rotacion në Groenlandë dhe SHBA, dhe që shërbejnë si forume për bashkëpunim politik e ushtarak, përfshirë edhe praninë ushtarake amerikane në territor.

Zyrtarë nga Groenlanda dhe Danimarka marrin pjesë në këto mbledhje vjetore, të cilat, sipas Motzfeldt, synojnë forcimin e dialogut të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimit me SHBA-në në çështje politike dhe të sigurisë. “Viti i kaluar ka qenë i vështirë,” shtoi ajo, duke theksuar rëndësinë strategjike të Groenlandës për sistemin amerikan të paralajmërimit të hershëm për raketat balistike.

Ministria e Jashtme e Danimarkës nuk pranoi të komentojë për përfaqësuesit që do të marrin pjesë në bisedime.

Si qeveria daneze, ashtu edhe ajo groenlandeze, kanë refuzuar kategorikisht idenë e dorëzimit të ishullit të pasur me burime natyrore tek SHBA, ndonëse Danimarka ka përgjegjësinë për mbrojtjen e këtij territori.

© Panorama.al

Te lidhura