Supersfida kthehet në një “telenovelë”

Jan 28, 2012 | 13:10

Foto ilustruese

Drejtuesit anulojnë vendimin për të luajtur në Pogradec

Skënderbeu-Flamurtari do zhvillohet më 31 janar në Korçë

Supersfida e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, midis Skënderbeut dhe Flamurtarit, po kthehet në një “telenovelë” pa nisur ende të luhet. Ndërsa pritej që takimi të zhvillohej sot në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit, gjërat kanë ndryshuar në momentin e fundit. Klubi korçar, i cili është pritës në këtë takim, i ka kërkuar institucionit të futbollit që ta shtyjë ndeshjen për në datën 31 janar. Kjo kërkesë është miratuar nga sektori i garave në FSHF dhe kësisoj është vendosur që takimi të luhet të martën, në orën 14:00, në stadiumin e Korçës. Drejtuesit e Skënderbeut mendojnë se deri të martën, fusha do të pastrohet.
Reagimi – Shefi i klubit korçar, Ilirjan Përmeti, ka bërë të ditur për “Panorama Sport” se vendimi është marrë me konsensusin e të gjitha palëve. “Nisur nga kushtet e vështira të motit për zhvillimin e një ndeshjeje normale, i jemi drejtuar FSHF-së gjatë ditës së sotme (nesërme), pasi kemi pasur dhe një marrëveshje paraprake me klubin e Flamurtarit, me të cilin kemi rënë dakord që ta shtynim takimin. Pas marrëveshjes sonë, edhe FSHF-ja ka rënë dakord që ndeshja të mos zhvillohej ditën e shtunë në Pogradec, ashtu siç e kishim parashikuar. E kemi shtyrë për të martën, me qëllimin e vetëm që ky takim të luhet në Korçë. Klubi po merr të gjitha masat për pastrimin e fushës, por në rast të kundërt, nëse deri të martën nuk realizohet ajo që duam, atëherë takimi do të luhet në Pogradec”,- është shprehur dje Përmeti.
Kaosi – Gjatë tri ditëve të fundit, në Korçë ishin duke u përgatitur për zhvillimin e ndeshjes me Flamurtarin në stadiumin e Pogradecit. Madje, në qytet ishin vendosur njoftime të shumta, për të sqaruar edhe tifozërinë që do të mbështeste ekipin. Mirëpo, gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë, nëse temperaturat pësojnë rritje, atëherë ndoshta ndeshja do të luhet në Korçë.
Problem është fakti se fusha ka ngrirë dhe, nëse bëhej largimi i borës në këto kushte, atëherë rrezikohej seriozisht dëmtimi i tapetit.
Federata – Shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, i kontaktuar dje nga gazeta, ka sqaruar: “Duke qenë se klubi korçar është pritës, pranuam kërkesën e tyre për shtyrjen e ndeshjes. Deri të martën mund të pastrohet fusha, por nëse nuk ndodh kjo, atëherë ndeshja do të luhet në stadiumin e Pogradecit më 31 janar.”

Kupa e Shqipërisë
Grupi A

Tirana
Kastrioti
Kamza
Bylis

Ndeshjet e para
Të shtunën
Kastrioti-Kamza    14:00

Të dielën
Bylis-Tirana    13:00

Grupi B
Skënderbeu
Flamurtari
Vllaznia
Laçi

Ndeshjet e para

Të dielën
Vllaznia-Laçi               13:00

Të martën
Skënderbeu-Flamurtari  14:00

Firmos Cikalleshi: Jam zyrtarisht lojtar i Tiranës
Zyrtarizohet blerja e Sokol Cikalleshit, i cili për gjashtë muajt e ardhshëm do të veshë fanellën bardheblu. Lojtari ka nënshkruar dje një kontratë në formë huazimi, e cila e mban të lidhur me Tiranën deri në fund të këtij sezoni. Një fakt të tillë e ka konfirmuar vetë futbollisti për “Panorama Sport”, teksa sqaron se deri në fund të këtij sezoni do t’i mbrojë ngjyrat e 24 herë kampionëve të vendit. “Mund të më konsideroni zyrtarisht si pjesë të Tiranës, duke qenë se vetëm sot (dje) kam firmosur. Është një kontratë, e cila më mban të lidhur deri në muajin qershor me bardheblutë. Ndërsa unë do të shfrytëzoj çdo ndeshje për të dhënë maksimumin”, – deklaroi 21-vjeçari kavajas. Kësisoj, Tirana bën një goditje të bujshme në merkato, aq më tepër që i merr një lojtar Skënderbeut, ekipit rival në luftën për titull. Në Korçë e konsideronin afrimin e Cikalleshit si fakt të kryer, mirëpo gjërat morën rrjedhë tjetër.

© Panorama.al

Te lidhura