Superhajduti Markelian Cungu i vjedh kalimtares 300 euro

Feb 25, 2011 | 14:17

TIRANE – Rikthehet superhajduti i mitur Markelian Cungu. Objektivi i tij i radhës ishte një vajzë 23-vjeçare, kalimtare e rastit, që po ecte përgjatë Unazës së Re, mbrëmjen e së mërkurës. Duket se rasti ka qenë i volitshëm për 17-vjeçarin Cungu, pasi ora shënonte 19:00 dhe ishte errësuar, ndërsa vajza ishte e pashoqëruar nga njeri. Në këtë moment, Markeliani, bashkë me një shokun e tij 14-vjeçar me iniciale J.B., kanë sulmuar 23-vjeçaren dhe i kanë vjedhur me forcë çantën e krahut, brenda së cilës kishte 300 euro, veç objekteve të tjera personale. Një patrullë policie e Komisariatit nr.6 të kryeqytetit mundi të arrinte në kohë, për të sekuestruar dhe për t’i rikthyer vajzës çantën dhe paratë e vjedhura, por për arrestimin e Markelian Cungut, policia ende nuk është në kohë. Edhe kësaj here, ashtu si në qindra raste të tjera kur ai është shoqëruar në polici për vjedhje, Cungu u la i lirë, duke përfituar nga mosha e tij e mitur. Përfitim që do e favorizojë, pa e lejuar që t’i vendosen në duar prangat, deri nga mesi i muajit mars, ku ai mbush 14 vjeç. Prej disa muajsh, forcat e policisë kishin rënë në qetësi nga “bëmat” e superhajdutit, pasi që prej herës së fundit, kur brenda natës plaçkiti vilat e 3 biznesmenëve në Laprakë të Tiranës, Markeliani nuk ishte ndaluar më nga policia. Në dosjet e Policisë së Tiranës, emri i Markelian Cungut rezulton i shënuar dhe i proceduar penalisht në më shumë se 150 raste, por në të gjitha precedentët, mosha e mitur i ka rikthyer lirinë brenda 24 orëve.

© Panorama.al

Te lidhura