Sulmi nga hakerat iranian, reagon Kuvendi: Është fshirë një pjesë e informacionit në disa llogari, infrastruktura kryesore nuk është prekur!

Mar 10, 2026 | 18:20

Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pas raportimeve për një sulm kibernetik të dyshuar, duke bërë të ditur se incidenti është konstatuar mbrëmjen e së hënës rreth orës 21:00, kur u identifikua një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit.

parlament

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të administratës, çka ka ngritur dyshime për një sulm të sofistikuar kibernetik që kishte si objektiv cenimin e sistemeve të brendshme dhe fshirjen e të dhënave.

Megjithatë, vlerësimi paraprak teknik tregon se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Po ashtu, faqja zyrtare e Kuvendit dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht.

Menjëherë pas konstatimit të incidentit, janë ndërmarrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve.

Për menaxhimin e situatës është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore, e cila po merret me analizimin e plotë të incidentit dhe identifikimin e burimit të sulmit.

Në këtë proces, Kuvendi po bashkëpunon me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes.

Reagimi: 

Në përgjigje të interesimit të medias, Kuvendi i Shqipërisë informon se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit. Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.

Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme.

Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht.

Menjëherë pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve.

Për këtë situatë është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore që po punon për analizimin e plotë të incidentit, identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura. Në këtë proces Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes.

Gjithashtu, gjatë këtyre orëve është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët po vijon komunikimi për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm.

© Panorama.al

Te lidhura