Studimet në Francë, aplikimet deri më 31 janar

Jan 11, 2012 | 12:27
Ambasadorja e Francës në Tiranë, Christine Moro

Ambasada Franceze ka hapur dyert për të mirëpritur edhe këtë vit nxënësit shqiptarë që kanë vendosur të vijojnë studimet universitare në Francë. Me këtë rast, ambasadorja franceze në vendin tonë, Christine Moro, ka zgjedhur zyrat e Campus France në Aleancën Franceze të Tiranës për të bërë me dije nisjen e aplikimeve për vitin akademik 2012-2013. Duke folur për rëndësinë që shteti francez i jep arsimit, ambasadorja Moro ka nënvizuar dhe avantazhet që mund të kenë studentët shqiptarë duke zgjedhur këtë vend për të vijuar studimet. Muaji janar është muaji kur në zyrat e kësaj ambasade trokasin të rinjtë, të cilët duan të shkojnë në Francë për të vazhduar studimet dhe për këtë atyre u nevojitet më parë plotësimi i një dosjeje. Dosja mund të tërhiqet në dy mënyra: në Ambasadën e Francës nga ora 14:00 deri në 17:30, duke filluar nga data 5 janar. Por, një tjetër mënyrë për regjistrimet mund të jetë në adresën e internetit http://ëëë.enseignementsup-recherche.gouv.fr/pid24665-cid24144/-dossier-blanc-demande-prealable-a-une-inscription-en-premier-cycle.html. Dosja e plotësuar mund të sillet e plotësuar në Ambasadën Franceze në Tiranë duke nisur nga data 9 deri në fund të muajit janar 2012, nga ora 14:30 deri në 16:30. Po kështu, për informacione të mëtejshme, kandidatët për studentë mund t’i shkruajnë zonjës M-Christine Fougerouse në adresën e e-mail-it ([email protected]), e cila është në dispozicionin tuaj nga ora 14:30 deri në  orë 17:30. Pas datës 31 janar mbyllet aplikimi dhe nuk është i mundur pranimi i asnjë dosjeje. Po kështu, një tjetër vend ku mund të merren informacione janë zyrat e Campus France, pranë Aleancës Franceze në kryeqytet. Një nga kushtet kryesore është dhe marrja e një diplome të njohjes së gjuhës frënge. Aleanca Franceze e Tiranës është qendra e mësimit të gjuhës dhe e licencuar për dhënien e diplomave DELF dhe DALF. E ndodhur në qendër të Tiranës, me metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe tabelat interaktive në çdo klasë, kjo aleancë prej shumë vitesh ka përgatitur shumë studentë për të nisur studimet në Francë. Në Francë numërohen 278 000 studentë të huaj dhe është vendi i tretë pritës pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Në 10 vjet numri i studentëve të huaj në Francë është rritur me 75 %. Mësimdhënia dhe studimet kërkimore janë një prioritet për qeverinë franceze gjë që është përkthyer në një mbështetje të madhe financiare. Një shoqëri e kthyer drejt inovacionit dhe njohurive, është e vetmja mënyrë për të mbajtur rolin e Francës në botën e shekullit XXI. Shpenzimi për mësimdhënien në Francë përfshin rreth 1,2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose thënë ndryshe, 20 miliardë euro në vit.

© Panorama.al

Te lidhura